Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka përsëritur qëndrimin e tij për reciprocitetin në të drejta të barabarta ndërmjet serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Serbi. Ai pretendon se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk parashikon reciprocitet, duke përfshirë edhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
Në një intervistë për një media shqiptare në Luginë të Preshevës, Hill ka thënë se prej vitit 2013 as që është bërë fjalë për përfshirjen e shqiptarëve të Luginës në dialog.
“Dialogu i Brukselit është duke vazhduar që nga viti 2013. Unë mendoj se BE ka marrë një detyrë shumë të vështirë dhe dialogu i Brukselit nuk parasheh reciprocitetin. Reciprociteti që ju flisni, që ka të bëjë me qytetarët shqiptarë brenda Serbisë, duhet të zgjidhet brenda Serbisë. Kushtetua e Serbisë e thotë se shqiptarët janë të barabartë me të tjerët në Serbi. Shumë njerëz në korrin diplomatik vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje këtyre problemeve. Janë probleme të cilat jemi të brengosur të gjithë dhe duhet të ketë një zgjidhje”
Ai shton se nëse Marrëveshja e Ohrit do të ketë suksese, mund të përfitojë edhe rajoni.
“Dialogu i BE-së që kulminoi me Marrëveshjen e Ohrit, ka të bëjë me Kosovën dhe zgjedhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse është e suksesshme, mund t’i ndihmojë të gjithë rajonit. T’i ndihmojë njerëzit që të krijojnë rrethana të reja ku kufijtë nuk do t’i dajnë njerëzit, por t’i bashkojnë. . Mendoj se dialogu do të përkrahet nga një gamë e gjerë e njerëzve, ku njerëzit mund të ulen në tavolinë e të gjejnë zgjidhje paqësore për problemet”, përfundoi ai. /Express