Pronari i kompanisë ELKOS Group, Ramiz Kelmendi, pas zjarrit që ka përfshitë sot depon e importit të Elkos Center në Pejë, ka thënë se punonjësit e ndërtimit të asfiksuar, të cilët morën tretman mjekësor, janë liruar në shtëpi dhe të njëjtëve kompania do t’iu qëndrojë afër sipas nevojës.
Sipas tij, dëmi i shkaktuar nga djegia e objektit llogaritet të jetë rreth 35 milionë euro.
Kelmendi, përmes një postimi në Facebook, ka dhënë detaje nga djegia e objektit, në të cilin sipas tij, zjarri ka shpërthyer sot (e shtunë) rreth orës 08:15.
Kelmendi ka thënë se “Punonjës të ndërtimit të asfiksuar, fatmirësisht të liruar në shtëpi, do ju qëndrojmë afër sipas nevojës!”.
“Dëmet në vlerësimin e para, nga ajo që kam informacion deri në këtë fazë, janë rreth 35 milion euro me çmime të kostos/malli ka qenë me strukturë jo-ushqimore. Numri i të punësuarve në këtë objekt ka qenë rreth 250”, ka shkruar Kelmendi.