STRAATSBURG – Vlaggen voor het gebouw van het Europese Parlement. ANP XTRA LEX VAN LIESHOUT
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, iu ka folur edhe shefave të shteteve anëtare të Unionit për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo temë ishte në agjendën e takimit të Këshillit Europian, si dhe në fund u përfshi edhe në konluza, raporton Gazeta Express.
Shefat e shteteve të BE-së kanë përshëndetur këtë marrëveshje mes fqinjëve të Ballkanit, por edhe kanë pasë një kërkesë për dy udhëheqësit, kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq.
“Këshilli Europian mirëpret Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e Zbatimit të saj, të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë, si pjesë integrale e rrugës së tyre europiane dhe u bën thirrje të dyja palëve që të zbatojnë me lehtësi dhe në mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet në konkluzat e publikuara në faqen zyrtare të BE-së.
Dakordimin për zbatimin e marrëveshjeve dhe kalimin nga një fazë e krizave, Borrell e ka quajtur “status quo të re” në procesin e gjatë të dialogut Kosovë-Serbi.
Borrell kishte thënë se fillimisht Bashkimi Europian kishte paraparë një aneks më të detajuar, por se palët nuk janë pajtuar për një version të tillë.
Kryediplomati europian ka deklaruar se Unioni do të vëzhgojë zbatimin e këtyre zotimeve dhe nëse palët nuk e zbatojnë atë, do të kenë pasoja.
Sidoqoftë, pa kaluar shumë ditë nga marrëveshja, kryeministri Kurti ka thënë se Serbia e ka shkelë atë dhe ka kërkuar nga ndërmjetësit që ta dënojnë atë