Medvedev thotë se arrestimi i Putinit nga një shtet tjetër do të nënkuptonte luftë

E publikuar: 23/03/2023 18:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të arrestuar presidentin e tanishëm Vladimir Putin, jashtë vendit, do të shihet si një “shpallje lufte”.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) me seli në Hagë lëshoi një urdhër arresti për Putinin javën e kaluar për krime të dyshuara lufte.

“Le të imagjinojmë – padyshim këtë situatë që nuk do të realizohet kurrë – por megjithatë le të imagjinojmë se u realizua: kreu aktual i shtetit bërthamor shkoi në një territor, le të themi në Gjermani, dhe u arrestua. Çfarë do të ishte kjo? Do të ishte një shpallje lufte ndaj Federatës Ruse. Dhe në atë rast, të gjitha asetet tona – të gjitha raketat tona etj. – do të fluturonin në Bundestag, në zyrën e Kancelarit”, tha Medvedev.

Medvedev, i cili shërbeu si president i Rusisë nga viti 2008 deri në vitin 2012 dhe tani nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, ka bërë deklarata gjithnjë e më të ashpëra për pushtimin e Ukrainës.

Rusia, e cila nuk është palë e GJNP-së, fillimisht e quajti urdhrin e arrestit “të pavlefshëm”.