Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar duke kërkuar shpjegime për një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, që është cilësuar si “marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës”.
Në reagimin e tij në Twitter, Rama shtron pyetjen nëse përdorimi i termave me emrat e kryeqyteteve, dhe jo të shteteve, është gabim serioz apo lapsus.
“Beogradi dhe Prishtina? Një gabim serioz apo lapsus? Emri zyrtar i saj është ‘Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’. Do të ishte e papranueshme nëse Sekretari i Përgjithshëm nuk do ta përdorte qëllimisht emërtimin e duhur. Ju lutem jepni sqarime sa më parë”, shkroi kryeministri shqiptar.
Në reagimin e OKB-së një ditë më parë për takimin në Ohër mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, thuhet se: “Sekretari i Përgjithshëm mirëpret njoftimin e fundit të BE-së për marrëveshjen nga palët në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Tani është e rëndësishme që të dyja palët të punojnë me shpejtësi dhe mirëbesim për të realizuar të gjitha detyrimet e përcaktuara në marrëveshje. Kombet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve që rrjedhin nga dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësuar nga BE-ja”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e përbashkët në Ohër me përfaqësues të Bashkimit Evropian, si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord për aneksin për zbatimin e marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, por nuk pati nënshkrime.