Përfaqësuesi i Lartë i Bë-së, Josep Borell në një konferencë për media në Tiranë pas takimit me Edi Ramën ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe për takimin e Ohrit që do të mbahet më 18 mars.
Borell ka thënë se palët janë pajtuar për planin franko-gjerman qysh në takimin e 27 shkurtit dhe se tashmë ka mbetur që të ketë një dakordim edhe për Aneksin e Implementimit.
Zyrtari i lartë i BE-së ka thënë se në të kaluarën ka pasur marrëveshje të shumtë të cilat asnjëherë s’janë zbatur dhe se një situatë e tillë s’mund të përsëritet.
“Me datën 27 shkurt patëm një takim të nivelit të lartë. Ata të dy ranë dakord që nuk nevojiteshin diskutime shtesë për propozimin e BE-së.
Kjo marrëveshje sjell shumë shpresë për normalizimin e raporteve. Por një tjetër gjë është marrëveshja dhe tjetër gjë se si dhe kur zbatohet marrëveshja. Sepse ka marrëveshje të nënshkruara të cilat s’janë zbatuar ndonjëherë dhe kjo s’mund të ndodh përsëri”, ka thënë Borell, raporton Express.
Ai ka thënë se pret që Kurti dhe Vuçiq të udhëtojnë drejt Ohrit me një qasje konstruktive për Aneksin e Implementimit.
Sipas tij nëse ndodh një marrëveshje, atëherë do të jetë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm.
“Dhe tani po punojmë jo vetëm për marrëveshjen por edhe për zbatimin e saj. Dhe ky zbatim është një shtojcë që do të detyrojë palët të sigurojnë dhe të kenë të njejtin kuptim për afatet dhe mënyrës se si. Të dyja palët do të bien dakord edhe për këtë gjithashtu.
Realisht shpresoj që të shtunën të dyja palët do të vijnë me një qasje konstruktive për të rënë dakord. Jo për marrëveshjen sepse është rënë dakord por për modalitetin dhe afatet e zbatimit.
Nëse ndodh kjo do të jetë një hap i jashtëzakonshëm”, ka theksuar Borell.