Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mazhorancës i mungon vullneti për të ndërtuar unitet në dialog dhe tema tjera.
Ai ka thënë Qeveria nuk e ka në mendje përballjen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, por luftën e brendshme politike.
Abdixhiku ka thënë se po kërkojnë që ta trajtojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel më 27 shkurt.
“Kjo marrëveshje ka 11 nene. Në seancën e kaluar Kurti asnjëherë nuk ka folur për kapërcimin e trashëgimisë së kaluar. Në dokument të mbështetur nga 27 vende evropiane Kurti pajtohet të tejkalojë historinë shtypëse të Serbisë ndaj Kosovës. Në një formulim të vetëm, Kurti e barazon mosnjohjen e Serbisë me vet aktin e deklarimit të shpalljes së pavarësisë. Ky formulim është lëshimi më i madh i bërë në procesin e dialogut”, ka thënë ai.
Sipas tij, marrëveshja Kurti-Vuçiq ka mungesë të njohjes në qendër të saj dhe ka neutralitetin ndaj statusit në vlerë si preambulë.
Abdixhiku ka thënë se e vërteta e vetme e kësaj marrëveshje duhet të gjendet në nenin 7 dhe 10.
Ka shtuar se Kurti ka pranuar implementimin e marrëveshjeve paraprake, siç është Asociacioni.
Ai ka thënë se Kurti nuk e ka sjell Asociacionin, por po e pranon atë përkundër kundërshtimit disavjeçar që e ka bërë.
“Ajo që nuk dihet se çka ka pranuar ky kryeministër është neni 7. Në gusht të vitit 2022, në një platformë për dialogun kryeministri ka kërkuar një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, marrëveshje me njohje kompensim të dëmeve të luftës, rishikim të marrëveshjeve paraprake dhe reciprocitet për pakicat. Si kryenegociator i fortë kryeministër na trego se sa prej këtyre kushteve tua janë marrë parasysh”, ka pyetur ai në fund.