Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord lidhur me planin e Bashkimit Evropian për marrëveshje. Por plani nuk është nënshkruar dhe në rrugën prej ujdisë deri në zbatimin e marrëveshjes priten edhe shumë pengesa.
Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të hënën më 27 shkurt në Bruksel, njoftoi me gëzim se të dy të ftuarit, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, e kanë pranuar “propozimin evropian” dhe se nuk duan të diskutojnë më gjatë për këtë çështje.
Borrell në fund filloi me analiza për suksesin dhe gjërat për të cilët palët janë dakorduar, që propozimi të jetë një bazë e qëndrueshme për një marrëveshje të përhershme.
Bashkimi Evropian publikoi pak më vonë gati të njëjtin tekst që është publikuar më parë edhe në disa media, e që quhej propozimi franko-gjerman. Siç u shpjegua, ky propozim duhet të jetë korniza për negociata të mëtejshme. Por plani nuk është nënshkruar dhe tani duhet të përcaktohet plani i zbatimit – çfarë, saktësisht si dhe në çfarë renditjeje do të zbatohet.
E këtu ka mosmarrëveshje të mëdha mes palëve, sepse Kosova kërkon që marrëveshja të jetë pjesë e një njohjeje mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Serbia kërkon zbatimin në rend të parë të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e më pas të flitet për gjëra të tjera.
Dallimet shihen menjëherë pas takimit
Dallimet u bënë të qarta menjëherë në deklaratat pas takimite më pas edhe pas kthimit të bashkëbiseduesve në vendet e tyre. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sapo dolën nga takimi me Borrellin, ku u dakorduan me dokumentin, dhanë deklarata me pikëpamje të ndryshme. Vuçiqi insistonte që asociacioni të jetë pika numër një e marrëveshjes, ndërsa Kurti thoshte se kjo çështje është vetëm një nga pikat e shumta.
Më pas presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka dhënë një intervistë për mediat serbe ku tha se është i gatshëm të flasë për të gjitha, por jo për njohjen e shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Vuçiqi tha se këto janë “linjat e kuqe”, që nuk do t’i kalojë, ndonëse në propozimin e publikuar nga BE-ja thuhet qartë se palët “nuk do të kundërshtojnë njëra-tjetrën në anëtarësimin e tyre në organizatat ndërkombëtare”.
Vuçiqi e ka pranuar pra dokumentin ku thuhet se nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk do të nxisë të tjerët ta pengojnë atë, ndërsa me t’u kthyer në Beograd tha se kjo është një linjë e kuqe që nuk do ta kalojë.
A mjafton dokumenti që vendet e BE-së ta njohin Kosovën?
“Edhe pse ende mungon nënshkrimi përfundimtar, ky është një sukses i madh politik për BE-në, por edhe për të gjithë rajonin”, thotë në një intervistë për DW, deputetja e Parlamentit Evropian Viola von Cramon-Taubadel, duke kujtuar tensionet e muajve të fundit. Politikanja e të Gjelbërve gjermanë është e bindur se ky tekst i marrëveshjes mund të bindë Greqinë, Spanjën, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë që ta njohin Kosovën dhe që Prishtina edhe formalisht të nisë rrugën drejt BE-së.
Bashkëbiseduesit e tjerë nuk janë kaq të bindur për këtë sukses të madh. Derisa të sqarohet gjithçka, nuk mund të thuhet se ky është një sukses i madh politik.
“Ende jo”, thotë eksperti i Ballkanit, Florian Bieber nga Universiteti i Gracit.
Bieber e sheh tekstin e marrëveshjes kornizë si një njohje de facto të Kosovës nga Serbia. Por shton se pilula e hidhur për Prishtinën është se nuk ka njohje të plotë.
“Për Kosovën problemi më i rëndësishëm është bllokimi i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare nga vendet që nuk e njohin pavarësinë”, tha ai.
“Është e paqartë nëse një marrëveshje e tillë është e mjaftueshme për disa vende që të njohin Kosovën”, shtoi Bieber.
Vazhdimi i presioneve
Politologu Vedran Xhihiq nga Instituti Austriak për Politikë Ndërkombëtare thotë se është një “pikëpyetje e madhe”, nëse Serbia do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.
Xhihiq pret gjithashtu fërkime të mëtejshme për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilës Kurti nuk dëshiron t’i japë kompetenca më të gjera ekzekutive, nga frika e një “kali të Trojës” në Kosovë.
Politologu po ashtu rikujton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës vështirëson formimin e Asociacionit.
Pikat e tjera të marrëveshjes përmenden më rrallë si kontestuese dhe kanë të bëjnë me njohjen e dokumenteve dhe simboleve, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e misioneve të përhershme e të tjera.
Por kur dihet së çështjet më të rëndësishme janë të diskutueshme, atëherë pritet që i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, të vazhdojë me diplomacinë e vizitave të dy palëve në mënyrë që deri në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në fund të marsit, gjithçka të hidhet në letër dhe të nënshkruhet. Deri atëherë, si Vuçiq ashtu edhe Kurti mund të jenë nën presion diplomatik dhe politik.
“Presioni politik është i mirë, por është me rëndësi edhe ajo që në anglisht quhet ownership. Pra është me rëndësi që në një moment ata vetë të thonë se duan ta nënshkruajnë këtë marrëveshje”, përfundon eurodeputetja Von Cramon-Taubadel. /dw/