Konfirmohet aktakuza ndaj Sinan Vllasaliut

E publikuar: 23/02/2023 15:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këngëtari Sinan Vllasaliu do të përballet me akuzën se i është shmangur mbi 24 mijë euro tatim shtetit. Kjo pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së tij për hedhje të aktakuzës.

Këngëtari Vllasaliu po akuzohet se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015.

“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar vendimin e marrë më 16 shkurt 2023, nga gjykatësja Naime Krasniqi, ku thuhet se kërkesa për hedhje të aktakuzës nuk është e mbështetur në asnjë provë dhe se duhet të vazhdohet me procedimin sipas aktakuzës.

Në kërkesën e parashtruar nga avokati i Vllasaliut, Florent Latifaj është kërkuar hedhja e aktakuzës me arsyetimin se i mbrojturi i tij ka sqaruar se nuk pajtohet me tatimin e paraqitur nga ATK-ja dhe Prokurorit të Shtetit për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015. Pasi që për këto vite fiskale, ai ka paraqitur pagesat e tatimeve të cilat i ka kryer në shtetin e Amerikës, periudhë kjo gjatë të cilës ai ka realizuar të ardhura në vende të ndryshme, ndërsa në periudha të caktuara ka paguar edhe në Kosovë.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ka dyshim të bazuar se Vllasaliu ka kryer veprën penale siç përshkruhet në dispozitiv të aktakuzës.

“Nga provat e propozuara në aktakuzës për veprën penale me të cilën akuzohet i pandehuri Sinan Vllasaliu paraqet dyshimin e bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 313 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet tutje në vendim.

Gjithashtu në këtë vendim thuhet se, përshkrimi faktik në dispozitivin e aktakuzës jep informata për vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe rrethanave të tjera, ndërkohë që ekziston edhe emërtimi ligjor i veprës sipas dispozitave të KPRK-së.

Në seancën e mbajtur më 18 nëntor 2022, i akuzuari Vllasaliu është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

Në aktakuzë shkruan se i pandehuri Vllasaliu, në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë, në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, i njëjti nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.

Për këtë veprim, ai ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. / Betimi për Drejtësi