Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se “kushtet e Albin Kurtit për Asociacionin janë sa për ta ruajtur fytyrën”.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, të enjten, Hoti ka shtruar një mori pyetjesh për Kurtin në lidhje me dialogun.
“Cili është pozicioni i Kosovës para takimit në dialog”, ka pyetur Hoti.
Ai ka shtruar pyetje edhe për Asociacionin, duke thënë se për 10 vjet Kurti e ka kundërshtuar atë edhe me akte të dhunshme dhe jodemokratike.
“A insiston kryeministri vetëm në marrëveshje për njohje reciproke, apo është i gatshëm t’i përbi sharjat dhe kriitkat ndaj oponentëve që sot janë opozitë dhe ta pranojë marrëveshjen pa njohje, duke e lënë problemin të hapur për Qeverinë e ardhshme. Besoj që është obligim kushtetues që të informohet Kuvendi”, ka deklaruar ish-kryeministri i Kosovës.