Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka formuar grupin punues për monitorimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, në krye me deputetin e VV-së, Haxhi Avdyli.
Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku, tha se ligji për kontrollin e duhanit është mjaft strikt dhe e qartëson se në cilat vende nuk pihet duhani, por se nuk zbatohet në realitet.
Ajo, madje tha se raste të shkeljes së këtij ligji ka edhe në Kuvendin e Kosovës.
“Ligji është mjaft strikt, por nuk zbatohet në realitet. Edhe në Kuvend është vërejtur dukuria e pirjes së duhanit, që është për të ardhur keq”.
Me këtë rast, udhëheqësi i këtij grupi punues, Haxhi Avdyli tha se do të angazhohet në monitorimin e ligjit dhe dhënien e rekomandimeve.
“Në bazë të drejtave që kemi ne do të japim rekomandime për këtë ligj. Tani kemi një shkelje të madhe të këtij ligji dhe do të punojmë bashkë rreth këtij ligji”, tha Avdyli.
Shemsedin Dreshaj, nga AAK, tha se mjafton të dalim në ndonjë lokal dhe ta kuptojmë se sa i pazbatueshëm ky ligj.
“Mund të dilni në secilin lokal dhe ta shihni se është i pazbatueshëm ky ligj. Mendoj që si iniciativë, formimi i një grupi punues, është e mirë dhe unë e përshëndes si iniciativë”, tha Dreshaj
Ndërsa, Armend Zemaj, nga LDK, tha se ligji është respektuar më shumë në fillimet e tij sesa sot.
“Tash ky ligj e ka historinë e vet sepse është diku, nëse s’gaboj, viti 2013 kur ka hyrë në fuqi. Atëherë besoj ka qenë më shumë i zbatueshëm, ndërsa kohëve të fundit nuk është i zbatueshëm. Ndoshta do të ishte mirë ta kemi një raport nga Inspektorati Shëndetësor dhe Policia e Kosovës.
“Nëse është ligji i mirë dhe mungon mbikëqyrja atëherë është më e lehtë për ne të kërkojmë llogari nga ata që e kanë për detyrë ta zbatojnë këtë ligj”, tha Zemaj, raporton EO.
E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, përmendi edhe cigaret elektrike, për të cilat ende nuk ekziston ndonjë ligj.
“Një nga problemet kyçe që mbetet i pazgjidhur është edhe cigaret elektronike, ku me mijëra ose mos të them miliona euro shpenzohen që të futet në treg. Për shembull unë mund ta ndezë një cigare elektronike tani dhe askush nuk ma ndalon pasi që nuk është e rregulluar me ligj”, tha Haxhiu.
Anëtarë të grupit punues u zgjodhën Armend Zemaj, Floretë Zejnullahu dhe Shemsedin Dreshaj.