Krasniqi premton më shumë transparencë komunale: 30 milionë euro investime për 4 vitet e ardhshme

E publikuar: 21/02/2023 15:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka premtuar më shumë transparencë komunale dhe shtim të buxhetit për komunat në katër vitet e ardhshme. Këtë premtim e dha para anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, raporton Ekonomia Online.

Krasniqi ka folur në lidhje me Raportin e Auditimit “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021.

Krasniqi tha se është hera parë që performanca do të bëhet përmes ligjit.

“Me mandatin tim kemi marrë disa hapa që kanë qenë të rëndësishëm për planin e performancës komunale. Është hera parë që performanca do të bëhet përmes ligjit dhe është viti parë është që është bërë vizita në komuna dhe janë verifikuar te dhënat nga ato. Jemi në procesin e hartimit të akteve të brendshme sipas kërkesës së ZKA. Ky sistem do të shërbejë edhe si një platformë e rëndësishme e të dhënave për qytetarët mbi transparencën”, tha ai, teksa shtoi se me ligjin e ri të gjitha komunat janë të detyruara të raportojnë për performancën e tyre.

“Më ligjin e ri te gjitha komunat janë te detyruara të raportojnë për performancat e tyre. Përformanca komunale është një ndër shtyllat kryesore të ministrisë”, shtoi Krasniqi.

Ai tha se për katër vjet janë të ndara 30 milionë euro.

“Për katër vitet e ardhshme janë mbi 30 milionë euro, 15 milionë nga qeveria dhe 15 milionë nga donatorët të cilët do të jenë një sfond solid për t’i mbështetur komunat. Të gjitha komunat kanë qenë bashkëpunuese, përjashtim komunën e Vitisë. 38 komunat e Kosovës janë te detyruara që të raportojnë për performancën komunale”, tha Krasniqi.

Deputetja nga LVV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, e cila prezantoi të gjeturat e auditimit dhe tha se është e pa pranueshme mos prezenca e Asocacionit të Komunave, pasi që sipas saj do duhej të ishin prezentë, sepse kjo ka të bëjë pikërisht me komunat. Ajo tha se ky raport ka bërë auditim për nëntë komunat dhe për MAPL.

“Subjekt i auditimit kanë qenë komunat dhe po ashtu Ministria e Administrimit Lokal ka konkloduar se funksioni i sistemit të Grantit të Përformancës Komunale ka rezultuar me disa mangësi qe duhet kushtuar vëmendje, të cilat janë, mjetet e ndara kërkojnë miratim shtesë, kthimi i mjeteve si suficit. Komunat ishin përcjellë me dobësi të ndryshme, si dhe ka rezultuar me çmime të larta, edhe pse rezultat e synuara janë arritur, komunat nuk kanë dëshmuar mjaftueshëm që kanë përfshirë gupet e margjinalizuara”, tha Sadiku.

Sipas saj, nga këto gjetje nga katër komunat e auditura katër komunat kishin planifikuar investim për rreth 15 milionë euro, ndërsa siç tha ajo kontratat ishin rreth 22 milionë euro.

“Po ashtu ka edhe disa projekte kapitale të pa regjistruara. Projektet e financuar nga donatoret në vitin 2021 nuk kanë arritur të përfundohen të gjitha. Katër komunat të audituara kishin planifikuar investim për rreth 15 milionë euro, ndërsa kontratat ishin rreth 22 milionë euro”, thekson ajo.