Ditën e hënë, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me përfaqësues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP).
Në takim, siç thuhet në komunikatën e dërguar për media, u bisedua mbi mundësitë e koordinimit dhe shtyrjes përpara të projekteve me benefite të përbashkëta, që ndërtojnë ura solide të bashkëpunimit.
Përfaqësuesit e OEMVP theksuan mbështetjen e tyre ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ata shtuan se e shohin Procesin e Berlinit si mekanizëm të duhur të mbrojtjes dhe të produkteve të tyre.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se Qeveria e ka bërë të qartë përmes dhe vendimeve të saj se cili është pozicionimi i Kosovës në rajon dhe ajo se si e shohim rolin tonë. Ai përmendi vendimin gjatë Qeverisë Kurti I të ndarjes së 10 mijë eurove për rindërtimin e shkollës së djegur në Dacaj -Rozhaje, ndarjen e 500 mijë eurove për Luginën e Preshevës, si mbështetje financiare për përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia, e deri tek 2 milionë eurot e ndara nga buxheti si mbështetje për Luginën gjatë vitit 2022.
U shprehën aspekte në të cilat mund të punohet bashkërisht edhe për të lehtësuar problematikat me të cilat po përballen bizneset shqiptare atje si resurset njerëzore, kuadrot e reja, fuqia punëtore dhe tregu i punës. Prandaj është e rëndësishme ruajtja e tregut, eliminimi i barrierave burokratike dhe forcimi i lidhjes ekonomike.
Puna do të vijojë në intensifikimin e bashkëpunimit, ku ka sinjale pozitive marrë parasysh dhe rritjen e eksportit dhe importit gjatë vitit të kaluar mes dy vendeve. Ndërtimi i rrugëve dhe zonave të përbashkëta industriale e ekonomike, mbeten prioritare me qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe përafrimit mes nesh.