Një parti kundër Haki Abazit, nesër propozojnë shkarkimin e tij në Kuvend

E publikuar: 15/02/2023 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti Haki Abazi duket se ndodhet i vetëm përballë të gjithë partisë të cilën ai e përfaqëson. Abazi, i cili është anëtar i VV-së, paralajmëroi sot se nesër do të bëjë publike disa incizime të cilat tregojnë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë urdhër që ai të shkarkohet nga posti i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ndërsa Gazeta Express zbulon se zëvendësimi i anëtarëve të komisioneve është në rend të ditës për seancën e nesërme.

Gazeta Express ka siguruar rendin e ditës për mbledhjen e Kuvendit të Kosovës që do të mbahet të enjten, e ku shihet se në pikën 4 është edhe propozimi i grupit parlamentar të VV-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet përkatëse parlamentare.

Haki Abazi, pretendoi sot gjatë ditës se Kryeministri Albin Kurti e ka urdhëruar largimin e tij nga pozita e drejtuesit të Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.

Për shkarkimin e tij duhet që të ketë shumicë të votave, ndërsa pritet që kjo të plotësohet edhe me vota nga opozita.

Në njoftim të bërë në profilin e tij në Facebook, ish-Zëvendëskryeministri thotë se nesër në orën 10, do të flasë rreth këtij “urdhri” të Kurtit, për të kërkuar largimin e tij nga dy komisione.

“Nesër në ora 10:00 në hollin e Kuvendit Ju ftoj për konferencë për Media lidhur me urdhrin e Kryeministrit Kurti për të kërkuar nga Kuvendi shkarkimin nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BË- Kosovë”, ka shkruar Abazi.

Tutje, ai thotë se do të flasë edhe për “për audio/ video incizimet dhe skandalet tjera që ky urdhër mëton t‘i mbulojë”.

Abazi ishte zv.kryeministër pas zgjedhjeve të vitit 2019, por që pas një rënie drastike në vota, në vitin 2021 ai nuk u shpërblye me asnjë pozitë nga Kurti. Që atëherë, Abazi ka shfaqur pakënaqësi të shumta me mënyrën se si janë trajtuar disa çështje dhe mënyrën se si është drejtuar grupi parlamentar. /Gazeta Express/