Ambasadori rus në Beograd tenton ta ftoh Serbinë për planin franko gjerman

E publikuar: 12/02/2023 22:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusia është skeptike për sa i përket planit franko-gjerman. Ambasadori rus në Beograd, Bocan-Kharchenko, konsideron se një plan i tillë është përpjekje e tërthort e perëndimit që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ai gjatë një interviste ka thënë se Rusia nuk është pjesëmarrës në këtë plan, rrjedhimisht thotë se “opinion s’kanë”.

Ka deklaruar se krejt çfarë informohen mbi këtë plan është raportimi medial, duke mos e parë si zgjidhjen e duhur.

“Ne nuk jemi pjesëmarrës në bisedë dhe mund të krijojmë një opinion vetëm në bazë të raportit të presidentit Aleksandar Vuçiq në parlament dhe në bazë të informacioneve të “rrjedhura” në media. Për mendimin tim, kjo është një përpjekje e Perëndimit për të gjetur një rrugë të tërthortë që Serbia ta njohë Kosovën dhe të hyjë në institucionet ndërkombëtare, para së gjithash në OKB”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ky plan është njohje, duke thënë se “perëndimi po përpiqet ta paraqesë vetëm si normalizim”.

Ambasadori rus në Brograd problemin e ka tek fakti që sipas planit fanko-gjerman Kosovës i hapet rruga për në institucionet ndërkombëtare.

“Plani drejtpërsëdrejti thotë se Serbia nuk do ta pengojë hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, edhe pse Perëndimi po përpiqet ta paraqesë atë si rrugë të normalizimit, jo të njohjes. Por në thelb është njohje. Nëse shteti jep pëlqimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në këtë rast Kosova, atëherë konsideron se Kosova është subjekt juridik ndërkombëtar, dhe si anëtare e OKB-së, Kosova ekziston si shtet”, ka deklaruar ai.

Kosova në parim e ka pranuar këtë plan, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se ”është bazë e mirë për normalizim“.

Por Kurti gjatë një interviste në Euronews Albania ka deklaruar se plani s’mund të bëhet marrëveshje pa një seri tjetër negociatash. /Express