Kurti e pranon që Kosova e ka të vështirë të bëhet anëtare e OKB’së për shkak të Rusisë e Kinës

E publikuar: 12/02/2023 20:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plani franko-gjerman ngjan me marrëveshjen mes Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore më 1972, por që dallon në disa pika. Kurti përmend mungesën e shpresës për një ulëse në OKB për shkak të Rusisë dhe Kinës, ndërsa në anën tjetër shprehet pozitiv për një njohje të mundëshme nga 5 vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Kryeministri i Kosovës thotë se Kosova kurrë nuk është përmendur më shumë në media ndërkombëtare, prej vitit 2008, se sa tani. Për këtë, ai e lë fajtor Rusinë dhe Putinin.

“Dy Gjermanitë morën ulëset në OKB u bënë anëtare të BE-së. Kemi konstalacion tjetër. Viti 2022 është viti prej pavarësisë ku nuk jemi përmendur më shumë në arenën ndërkombëtare. Në njërën anë, qeverisje jonë ka qenë e mirë, por në anën tjetër, nuk ka javë që nuk na përmend presidenti despotik Putini dhe varësit Zakharova, Lavrovi, Medvedevi e të tjerët. Vazhdimisht në hegjemoninë e tyre në Ukrainë thirren pa të drejtë në Kosovën si shembull për atë që bëjnë. Normalisht me atë Rusi që ka veton në OKB e pa Kinën që na njeh, nuk mund të jetë shpresëdhënës për ulëse në OKB. Konteksti historik e politik me atë model është i papërshtatshëm me këtë kohë”, tha ai në Euronews Albania.

Kurti tha po ashtu se njohja de-fakto nga Serbia është e pranueshme, por që më me rëndësi i sheh njohjet nga vendet e BE-së që nuk njohin Kosovën dhe pastaj të flitet për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Njohja de fakto është e rëndësishme por në të njëjtën kohë ne e kemi po aq të rëndësishme njohjen de-jure dhe njohjen e 5 shteteve të BE-së. Pra nëse nuk mund të kemi ulësen në OKB sic morën dy Gjermanitë më 1973, atëherë duhet t’i kemi Spanjën, Sllovakinë, Qipron, Rumaninë dhe Greqinë në anën tonë pasi është bërë shumë kohë tani që këto shtete anëtare të BE-së e NATO-s nuk po na njohin. Ata që mund të bëjnë shumë në këtë aspekt janë partnerët tanë ndërkombëtarë”, përfundoi ai.