LDK: Një ministre e Drejtësisë që i kërkon drejtësisë dorëzim, duhet të dorëzohet vetë ose të shkarkohet

E publikuar: 11/02/2023 11:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar përmes një konference për medie, në lidhje me deklaratën e djeshme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i kërkoi prokurorit të tërhiqej nga rasti ku kjo ishte e akuzuar në lidhje me hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend para shtatë vjetësh, raporton Ekonomia Online.

Kica-Xhelili tha se Haxhiu duhet të shkarkohet pasi e bëri këtë deklaratë.

“Ministrja e Drejtësisë i kërkoi prokurorit të dorëzohej… Nuk tha kërkoj drejtësi, në vend të shumë mundësive që kishte për të përmbyllur qëndrimin e saj prej të akuzuarës, por ajo zgjodhi t’i thotë prokurorit dorëzohu.. Këtë e tha ministrja e Drejtësisë, pasqyra e së cilës mëton të jetë fytyra e ligjit në Kosovë. Një ministre e drejtësisë që i kërkon drejtësisë dorëzim, duhet të dorëzohet vetë ose të shkarkohet, s’ka kredibilitet të udhëheqë në sektorin e drejtësisë”, është shprehur Kica në konferencën e thirrur për sot nga LDK-ja.

Sipas Kicës, Haxhiu disa herë ka dëshmuar që s’ka aftësi ta zhvesh petkun personal e të të akuzuarës kur hyn në këtë ministri, “harron që është institucion, fyen e kërcënon dhe jo vetëm ajo, por edhe të tjerët”.

Deputetja e LDK-së, tha se nga kjo ministri është premtuar, pavarësi e gjyqësorit e mbështetje financiare për sistemin e drejtësisë, është premtuar për ministra pa aktakuza, mirëpo, sipas saj, fatkeqësisht realiteti po dëshmon të kundërtën.

“Sot përveç që pagat e prokurorëve e gjyqtarëve janë ulur, punohet për dorëzim të drejtësisë. Nga sot e tutje dhe çdo ditë që vazhdon ta ketë këtë pozitë, ndërhyrja në sistemin e drejtësisë do ta mbajë emrin e kryeministrit, Kosova ka nevojë për njerëz që nuk dorëzohen”, ka shtuar ajo.

Kica u shpreh se s’duhet të lejohet kurrë që pushteti ta ketë lirinë e kërcënimit, sepse në emër të drejtësisë, sipas saj, shumë pushtete kanë abuzuar me të.

Gatimet tona pjekën në prush, prandaj edhe janë më të shijshme!

Posted by Pep's Taverna on Tuesday, April 28, 2020