Ish kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka deklaruar se, siç u shpreh, pas pranimit të Asociacionit, kryeministri Kurti nuk guxon të japë kompetenca ekzekutive për asociacionin.
Sipas saj, hapi i parë është që Kurti të kërkojë një letër garancie nga ndërmjetësuesit amerikanë dhe BE, Escobar dhe Lajçak, me të cilën ata sigurojnë që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë.
Në llogarinë e saj në Facebook, Tahiri shkruan se një letër të tillë ajo si kryenegociatore ka arritur që ta sigurojë nga Mogherini si ndërmjetësuese e BE-së me të cilën ajo ka siguruar se për BE-në Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe se nuk do të jetë nivel i tretë qeverisjeje në Kosovë.
“Ja letra e Mogherinit drejtuar Kryeministrit të Kosovës”, shprehet Edita Tahiri, duke e bashkëngjitur dokumentin që pretendon se i ishte drejtuar ish-kryeministrit Isa Mustafa.
“I nderuar kryeministër,
Në kontekstin e diskutimeve tona për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, dëshiroj të konfirmoj se është mirëkuptimi i BE-së që Asociacioni/Bashkësia – në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe Ligjin e Kosovës – nuk do të përbëjë një niveli të tretë të qeverisjes dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. BE-ja, në ushtrimin e rolit të saj si ndërmjetësues i dialogut Prishtinë-Beograd, do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe zbatimin nga të dyja palët të Marrëveshjes së Parë dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura në Dialog”, shkruan në dokument.