Analisti boshnjak për Asociacionin: Kosova nuk duhet të lejojë të dejtonizohet

E publikuar: 03/02/2023 12:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti përkitazi me këtë çështje ka ngjallur edhe reagimin e analistëve në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Analisti nga BeH, Jasmin Mujanoviq ka thënë se është e rëndësishme për gjithë Ballkanin Perëndimor që t’i rezistohet me sukses presionit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sepse do të përcaktohet forma e politikës së rajonit për dekadat që vijnë.

“Pse ka rëndësi për të gjithë Ballkanin Perëndimor që Kosova t’i rezistojë me sukses fushatës së vazhdueshme të presionit nga Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian që të krijojë një ‘Asociacion të komunave me shumicë serbe’? Sepse është një luftë për të përcaktuar formën e politikës së rajonit për dekadat e ardhshme…”, ka shkruar analisti boshnjak në Twitter.

Ai më tej shkruan se në këtë drejtim, fushata e bullizimit kundër Kosovës është e pandërgjegjshme, e turpshme dhe shkatërruese.

“Kurti ka të drejtë – Kosova duhet të rezistojë”, shkruan ai më tej, duke shtuar se Kurti po insiston për një kornizë që bazohet në të drejtat në Kosovë.

“Kjo është e vetmja mënyrë për të ecur para për një të ardhme euroatlantike për këtë rajon. Nuk ka më ndarje, jo më entitete dhe kantone…”, shkruan Mujanoviq.