FSShK e zhgënjyer me koeficientin, ka katër kërkesa për Qeverinë

E publikuar: 02/02/2023 17:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), është shprehur e zhgënjyer me vlerën e koeficientit të pagave të miratuar nga Qeveria.

FSShK në një komunikatë për media të enjten, ka paraqitur katër kërkesa për ekzekutivin.

Kërkesa e parë është që me urgjencë të fillohet negocimi i Kontratës Kolektive Sektoriale.

Kërkesa e dytë është që shtesa prej 60-euro e paraparë me Pakon e Ringjalljes Ekonomike pika 4.1. Mbështetje për Shëndetësinë të mbetet në fuqi deri në shpalljen e Pandemisë COVID-19 të mbyllur.

Kërkesa e tretë është miratimi i shujtës prej 60 euro për të gjithë të punësuarit në sektorin e shëndetësisë duke përfshirë edhe stafin mbështetës.

Po ashtu, FSShK ka kërkuar nga ana e ekzekutivit të bëjë publike koeficientet për stafin mbështetës të punësuar në të gjitha nivelet shëndetësore.

“Në fund FSSHK mirëpret reflektim  nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me kërkesat e Këshillit Drejtues të FSSHK-së para ekzekutimit të pagave për muajin Shkurt”, thuhet në komunikatën për media.

Të gjitha këto konkluzione kanë dalë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të mbajtur të enjten nga Këshilli Drejtues i Federatës, ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte “Shqyrtimi i vlerës së koeficientit të miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës në shumën prej 105 euro”.