Departamenti i Shtetit nuk i pohon as mohon raportimet për bllokim të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës

E publikuar: 31/01/2023 22:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Departamenti i Shtetit Amerikan ka refuzuar t’i komentojë raportimet e sotshme ku thuhej se shtete të Bashkimit Evropian, anëtare të Këshillit të Evropës, kanë pranuar nota nga ambasadat amerikane, për të mos e futur çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill, pa e marrë një qëndrim konstruktiv për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës në edicionin serbisht, DASH ka deklaruar se qëndrimi amerikan ndaj ASK-së në Kosovë është i qartë.

“Siç kanë thënë këshilltari Derek Chollet dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobat në një artikull të përbashkët – tani është koha për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratën e DASH për VOA, transmeton Gazeta Express.

Sot mediat në Beograd, “Euronews” serbisht dhe të tjera, kanë raportuar se ShBA-ja ka kërkuar që çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të mos vihet në agjendë, derisa “Kosova të marrë një qëndrim më konstruktiv për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i cili do t’i hapte rrugën propozimit të marrëveshjes bazë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Së fundmi, një mesazh i ngjashëm ka ardhur edhe nga ambasada gjermane në Prishtinë, e cila ka theksuar se bllokimi i formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do ta vështirësojë sigurimin e shumicës së nevojshme të votave për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar sot “Euronews” në gjuhën serbe.