Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci ka thënë se lufta në Ukrainë është një prej arsyeve që Perëndimi, SHBA dhe BE, po këmbëngulin në themelimin e Asociacionit të komunave serbe, për ta evituar një konflikt të ri.
Duke folur në emisionin Pressing të T7, Peci ka thënë se po të mos ndodhte lufta në Ukrainë, nuk do të kishte një insistim të tillë.
“Pse perëndimi i ka dhënë gaz me e kry këtë punë. Kjo urgjencë ka dalë për me mbyllë këtë konflikt në Ballkan, mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të lufës në Ukrainë. Mos të ndodhte lufta në Ukrainë, ky avaz do të vazhdonte për një kohë goxha të gjatë, dhe do të ishim knaqë me atë procesin e Brukselit”, ka thënë Peci.
Ai ka theksuar se Kosova e ka pranuar themelimin e Asociacionit me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015
“Përderisa marrëveshjet e vitit 2013 dhje 2015 janë në fuqi, ne flasim kot. Ato janë të pranuara, kjo duhet të thuhet”, ka thënë ai.
Peci ka deklaruar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është fajtor për këtë situatë, siç ka thënë ai, me keq-menaxhimin e situatës për çështjen e targave ilagale serbe, duke mos dëgjuar sugjerimet dhe këshillat e aleatëve. /GazetaExpress