Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vendosën sanksione ndaj anëtarëve të Partisë Radikale Serbe dhe ish-deputetëve të Kuvendit të Serbisë, Vjerica Radeta dhe Petar Jojiq, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit, më 27 janar.
“Radeta dhe Jojiq, derisa ishin deputetë të Parlamentit të Serbisë, korruptuan dhe frikësuan dëshmitarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), në mënyrë që ata të mos paraqisnin provat inkriminuese kundër liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, i cili më pas u dënua për krime lufte”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit Ned Price.
Gjithashtu, thuhet se sjellja e Radetës dhe Jojiqit pengoi procesin gjyqësor dhe për këtë arsye Tribunali i Hagës lëshoi fletarrest ndërkombëtar për ta. Kjo sjellje, siç thuhet, kërcënoi stabilitetin rajonal dhe ndikoi negativisht në interesat e SHBA-së.
Në deklaratë theksohet se vendimi i SHBA-së konfirmon “angazhimin në luftën kundër korrupsionit që dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të partnerëve dhe kufizon aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të qytetarëve”.
Siç thuhet në deklaratë, SHBA-të mbështesin demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi dhe vazhdojnë të kërkojnë llogari për ata që keqpërdorin pushtetin publik për përfitime personale.
Siç thuhet, sanksionet përfshijnë edhe djalin e Petar Jojiqit, Gojko Jojiq. Sanksionet, siç u përmend, u vendosën sipas dispozitës 7031 të Ligjit për buxhet të Departamentit të Shtetit, i cili ndalon individët e sanksionuar të hyjnë në SHBA./REL/