Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke e quajtur atë edhe si zullumqar.
“Kryeministri është bërë i dëmshëm e zullumqar. Pasojat e pozicionimit të papërgjegjshëm të Kryeministrit të Kosovës në raport me pothuaj të gjitha temat që kanë të bëjnë me vendin, po vijnë!”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se qasja e kryeministrit të vendit ka bërë që komuniteti ndërkombëtar më me simpati ta shohë Serbinë sesa Kosovën.
“Pasojë e pozicionimit të tij të gabueshëm është edhe rikthimi me urgjencë i temës së Asociacionit dhe avantazhi i Serbisë në procesin e dialogut. Qasja e tij e gabueshme ka bërë që Komuniteti Ndërkombëtar, më me simpati ta shohë Serbinë së sa Kosovën. Veç Albin Kurti ka arritur që xhelatin ta shndërrojë në viktimë”.
Ai ka shtuar se vendimet e kryeministrit Kurti në sferën e ekonomisë, sigurisë e arsimit, të dialogut e marrëdhënieve me aleatët, janë bërë barrë e rëndë për vendin e për popullin.
“Vendimet e tij në sferën e ekonomisë, të sigurisë, të arsimit, të dialogut, të marrëdhënieve me partnerët strategjikë, tashmë janë bërë barrë e rëndë për vendin e për popullin. Në këtë rrafsh duhet parë edhe vendimin e fundit të Gjykatës së Drejtësisë të BE për përjashtimin e Kosovës nga Organizata e Rregullatorëve Evropianë të Telekomunikacionit”, ka shtuar Haradinaj.
Sipas Haradinajt, pozicionimi i gabueshëm i kryeministrit Kurti e ka rikthye me urgjencë temën e Asociacionit.
“Ai me para të taksapaguesve shkon në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, gjoja për të folur për investimet e huaja në Kosovë, madje organizon edhe një Samit të Investitorëve në Cyrih, ndërsa paratë e buxhetit i ka mbyllur në bunker dhe ekonominë e ka llom. Kjo më e pakta është hipokrizi. Ai jo vetëm që parat e buxhetit nuk i kthen te qytetari, por atyre iu ka pamundësuar që në këtë kohë të rëndë ekonomike e sociale, ta marrin një pjesë nga paratë e kursyera të Trustit, që janë të tyre. Kryeministri është shndërruar në zullumqar”.