Ambasadori britanik, Nicholas Abbott, të martën ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit Filozofik, raporton Ekonomia Online.
Atyre Abbott u ka thënë se nuk duhet që të harrohet e kaluara, por që Kosova e Serbia duhet të bëjnë kompromise.
Ai më tej, shtoi se asnjë shtet në Ballkan nuk duhet ta vë në dyshim të ardhmen evropiane, ndonëse tha se shteti i tij nuk është më pjesë e BE-së. Abbott theksoi problematikën e migrimit dhe tha se në këtë fazë prioritet mbetet lufta në Ukrainë.
“Jam shumë krenar qe Mbretëritë Bashkuara janë në çdo hap me Kosovën. Nuk duhet harruar e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë, por duhet bërë kompromis”.
“Në Ballkanin Perëndimor asnjë shtet nuk duhet ta vërë në dyshim të ardhmen. Edhe pse Mbretëritë e Bashkuara janë larguar nga Bashkimi Evropian, në e mbështesim plotësisht të ardhmen e Evropës”.
“Sot nuk kemi asnjë prioritet më të madhe se sa ta përkrahim Ukrainën deri në çlirimin e saj”.
“Që nga vera e kaluar ne kemi parë shumë, por shumë shqiptarë duke shkuar në Mbretëritë e Bashkuara, e që kjo përben një problematikë në vete”.
Abbott përmendi edhe sulmet e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 duke theksuar se është bërë me qëllimin për ta ndalur një katastrofë.
“Në vitin 1999 NATO ndërhyri në Kosovë për të parandaluar një fatkeqësi humanitare”.
Ai tha po ashtu se është mirënjohës për ndihmën që Kosova ia ka bërë Ukrainës, duke iu ofruar strehim gazetarëve e refugjatëve.
“Jam shumë mirënjohës për ndihmën që Kosova i ka ofruar Ukrainës qoftë duke iu dhënë strehim refugjatëve dhe gazetarëve apo mbështetjen psikologjike për të mbijetuarit e dhunës seksuale”, tha Abbott.
Studentët e këtij fakulteti ishin shumë të interesuar rreth luftës Ukrainë-Rusi, meqë disa prej pyetjeve të tyre ishin rreth kësaj çështje.
Dashamir Berxulli, dekan i Fakultetit Filozofik, e falënderoi ambasadorin që ka pranuar ftesën që të bashkëbisedoi me studentët.
“Është kënaqësi të kemi një debat të hapur publik. Sigurisht që kemi edhe iniciativa të tjera në Fakultetin Filozofik dhe jemi krenar për punën që e bëjmë të gjithë, i’u falënderoj shumë për kohën”.
Ismet Krasniqi, kryetar i Këshillit të studentëve, tha se biseda me ambasadori u ka dhënë mundësi që të kuptojnë më shumë për politikën e Britanisë karshi Kosovës.
Ai e ka falënderuar Abbottin që nuk e ka refuzuar kërkesën e tyre, duke shtuar se Kosova duhet të marrë nga përvojat e këtij shtetit të fuqishëm.