Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në partneritet me organizatat jo qeveritare “Aleanca Qytetare për Transparencë” ka publikuar Transparometrin Komunal, ku pasqyrohen te gjeturat e nivelit të transparencës së institucioneve lokale për 38 komunat e Kosovës për gjysmën e dytë të vitit 2022 (korrik – dhjetor).
Në njoftimin e lëshuar thuhet se komunat janë vlerësuar në gjithsejtë 48 indikatorë specifikë që masin elemente të rëndësishme të qeverisjes së mirë dhe përmbushjen e obligimeve ligjore që lidhen me transparencën dhe llogaridhënien e tyre në raport me qytetarët e tyre.
Bazuar në të gjeturat gjatë kësaj periudhe, 10 komunat të cilat prijnë me nivelin e transparencës në Kosovë janë: komuna e Rahovecit me 90 pikë (93.75%), komuna e Lipjanit me 89 pikë (92.71 %), komuna e Prizrenit me 88 pikë (91.67 %), komuna e Drenasit, Gjakovës, Kamenicës, Pejës dhe Prishtinës me nga 87 pikë (90.63 %), komuna e Mitrovicës së Jugut me 86 pikë (89.58 %) dhe ajo e Podujevës me 84 pikë (87.5 %).
Ndërkaq, komunat që qëndrojnë më se keqi në raport me transparencën janë ajo e Zveçanit me 43 pikë (44.79%), e Novo Bërdës me 37 pikë (38.54 %), e Parteshit me 35 pikë (36.46%) dhe e Zubin Potokut me 33 pikë (34.38 %), transmeton Klankosova.tv.
Hulumtimi është realizuar nga konsorciumi i OJQ-ve “Aleanca Qytetare për Transparencë” i përbërë nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe nëntë (9) organizata lokale partnere: OJQ Mundësia, OJQ Fortesa, Iniciativa Qytetar Skenderaj (IQS), Forumi i Organizatave Jo-qeveritare Kaçanik ( FOJK), Shoqata e Intelektualëve të Pavarur (SHIP), SHL-Kosova, Rrjeti i OJQ-ve AVONET, Initiative for Social Education – ISEP si dhe OJQ SOFRA.