Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti fajëson të tjerët për dështimet e tij.
Tahiri në një postim në Facebook, ka shkruar se “Kurti në postimin për të “arriturat” në fushën e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, ia atribuoj vetës rezultatet e arritura nga institucionet e agjencive të pavarura në luftimin e kriminalitetit dhe manipuloi qytetarët me shifra e fjalë”.
Ai më tej ka shtuar se përgjegjësia e Qeverisë është hartimi dhe miratimi i politikave dhe ligjeve që forcojnë luftën kundër krimit.
“Por që dy vite, Qeveria Kurti nuk ka miratuar asnjë politikë apo ligj që forcon luftën kundër kriminalitetit. Përkundrazi, ka marrë veprime që në fakt e dobësojnë sundimin e ligjit. Që gati 5 muaj nuk e ka zgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për të cilën pozitë kishin aplikuar vetëm 5 kandidatë apo 3%, nga ata të cilët kishin të drejtë të aplikonin. Ky numër tejet i vogël është pikërisht rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme të Kryeministrit Kurti në punën e policisë, ndërhyrje që ka ndikuar që pjesëtarët e policisë të mos kenë besim e vullnet për të punuar me këtë qeverisje”, ka shkruar Tahiri.