Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) thotë se ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit të përgatisë raport lidhur me gjitha veprimet prokuroriale të ndërmarra ndër vite ndaj Dibran Hoxhajt, i dyshuar për vrasjen e para pak ditëve në Prizren.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bazë të kompetencave ligjore që ka, do të trajtojë me kujdes të gjitha veprimet e ndërmarra ndër vite nga prokuroria përkatëse ndaj Dibran Hoxhaj dhe çdo lëshim eventual do të sanksionohet në bazë të akteve ligjore në fuqi”, thuhet në një njoftim për media të KPK-së, raporton Klankosova.tv.
Një konflikt mes disa personave në orët e para të mëngjesit të datës 4 janar në lokalin “Kobra City” Prizren, ka lënë të vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi dhe një 27-vjeçar të plagosur.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se të martën, rreth orës 4 e 25 të mëngjesit, kanë hyrë në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit 3 shtetas të Shqipërisë, ku dy prej tyre ishin plagosur me armë zjarri në Prizren.
“Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Për këtë ngjarje, i dyshuar kryesor është Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, i cili është arrestuar bashkë me 5 persona tjerë. Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.