Mungesë e dokumentacionit – Inspeksioni tregon arsyen e mbylljes së lokalit “Kobra City”

E publikuar: 03/01/2023 14:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas ngjarjes tragjike e cila ndodhi mëngjesin e së martës në lokalin “Kobra City” në Prizren, Inspektorati i Tregut në Komunën e Prizrenit ka mbyllur përkohësisht këtë lokal në mungesë të dokumentacionit.

Lajmin e bëri të ditur drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Islam Ukimeri, i cili tha se lokali do të mbetet përkohësisht i mbyllur deri në një vendin të gjykatës në Prizren.

“Sot në orët e para të mëngjesit kemi pas telefonat nga Policia e Kosovës në Prizren dhe me kërkesë të tyre, ne obligohemi menjëherë të dalim në vendin e ngjarjes pasi na kanë njoftuar se në një lokal nate ka pasur gjuajtje me armë. Ne si inspektorat, inspektorati i tregut komunal kemi dal në vendin e ngjarjes. Dhe pasi kemi dal në vendin e ngjarjes, pronarët apo punonjësit që punojnë aty, obligohen të na paraqesin dokumentacion.

Ata nuk kanë pasur mundësi që të na paraqesin dokumentacionin pasi disa persona kanë qenë me duar të lidhura nga policia dhe duke ia marr shënimet për rastin në fjalë. Dhe me mos prezantimin e dokumentacionit, ne si inspektorat obligohemi ta mbyllim lokalin përkohësisht. Inspektorat e tregut komunal obligohen ta mbajnë lokalin mbyllur përkohësisht deri në një vendim të gjykatës”, ka thënë Ukimeraj.

Ndryshe, zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, në një prononcim për Telegrafin tha se është kryer bastisje në lokalin ku ka nisur përleshja dhe në shtëpinë e pronarit Dibran Hoxha.

Në vendngjarje Bytyqi konfirmoi se janë gjetur të paktën tri gëzhoja plumbash si dhe është hasur lokali i demoluar.

“Është kryer bastisja e lokalit si dhe shtëpisë së të dyshuarit. Në vendngjarje anë gjetur së paku tri gëzhoja dhe lokali i demoluar. Aktualisht po vazhdon intervistimi i të dyshuarit dhe personave të tjerë, dëshmitarë okularë si dhe pjesëtarë të stafit të lokalit”, u shpreh ai.

Tutje, bëri të ditur se janë duke u analizuar provat dhe dyshimet janë që vrasja ka ndodhur jashtë lokalit.

Pronari i lokalit, Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra” dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri pas një zënke fizike me disa persona, të cilët kishin ardhur nga Kukësi në Prizren.

Si pasojë, njëri nga ta ka mbetur i vdekur, kurse një tjetër është plagosur.

Policia bën me dije se viktima është një 31-vjeçar me inicialet V.C, i cili ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Kukësit. Ndërsa, i plagosur ka mbetur një 27-vjeçar me inicialet R.SH.

Ky i fundit ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit.

“Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovarë. Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.