Krasniqi: Kosova po kalon një prej momenteve më të brishta që prej pavarësisë

E publikuar: 29/12/2022 15:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se qytetarët e vendit vitin 2022 do ta kenë në mendje si një vit jo të mirë.

Në një konferencë për medie, në përmfundim të vitit, Krasniqi ka theksuar se 2022-ta mund të përshkruhet si vit i stagnimit ekonomik përbrenda dhe inflacionit rekord; Vit i pasigurisë sociale për qytetarë dhe i ikjes së të rinjve; Një vit i dështuar politik për shtetin dhe izolimit nga jashtë.

Krasniqi tha se kjo gjendje është rezultat i keqeverisjes së Kryeministrit Kurti dhe kabinetit të tij qeverisës, të cilët veçse i kanë thelluar krizat duke e tërhequr krejt Kosovën në një gjendje depresioni kolektiv e degradimi shtetëror.

“Zhvillimet e fundit, e dëshmojnë më mirë se çdo gjë tjetër, që Kosova është duke kaluar një prej momenteve më të brishta që prej se është shpallur shtet sovran, e pa asnjë dyshim, një moment të brishtë dhe të paprecedentë pothuajse që 23 vite pas çlirimit. Nuk është as e lehtë dhe as dëshirë e jona, që vitin 2022 të mos mund ta mbajmë mend për gjëra të mira, por, fatkeqësisht, kjo është “Kronikë e një dështimi të paralajmëruar” nga unë dhe PDK qysh me 22 mars të vitit 2021, kur ishte emëruar Qeveria Kurti II. Kabineti i dobët dhe planprogrami i varfër i kësaj qeverie, por edhe përvoja me Qeverinë Kurti I, na kishin treguar qysh në fillim se çka na pret. Gjatë këtij viti, Kjo Qeveri ka prodhuar gjithçka, përveç program zhvillimor e mbështetës për shtetin dhe qytetarët”, theksoi ai.