Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas të shtënave që u raportuan të kenë ndodhur të dielen në orët e mbrëmjes në Zubin Potok.
Sveçla tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon me propagandat e tij.
Ai ka shtuar se Serbia duhet të ndalojë organizimin e strukturave ilegale në Kosovë.
“Lojërat e Vuçiqit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, tha Sveçla në Facebook.
Ai kërkoi sërish heqjen e barrikadave dhe kërkoi nga Serbia që “të ndalojë organizimin e strukturave të paligjshme kriminale që synojnë të destabilizojnë Kosovën”.
Tutje, ministri i Brendshëm tha se Policia e Kosovës do të vazhdojë të luajë rolin e saj dhe të përmbushë misionin e vet.
“Bëj thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bijnë pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit”, potencoi Sveçla.
KFOR-i ka konfirmuar se ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri në afërsi të një patrulle që ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut.
Ndërkaq policia ka thënë se s’ka oasur shkëmbim zjarri mes tyre dhe grupeve kriminale në veri. /Klankosova.tv