Misioni i NATO-s në Kosovë KFOR-i gjatë ditës së martë, në koordinim edhe me Policinë e Kosovës ka bërë transportimin e nëntë zyrtarëve policorë nga Veriu i Mitrovicës për në Jug të saj, pasi të njëjtit kishin mbetur të ngujuar që nga 10 dhjetori në vendet e tyre të punës ndërkohë që Serbët kishin barrikaduar rrugët duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Kështu të paktën ka bërë të ditur në një përgjigje për Albanian Post, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Sipas tij policët janë transportuar nga komuna e Leposaviqit dhe pikë kalimi kufitar Jarinjë për në jug të Mitrovicës për “shkaqe shëndetësore kronike”.
“Referuar situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, Policia e Kosovës sipas nevojës bashkëpunon dhe mban kontakte të vazhdueshme me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme PK-ja mban edhe me KFOR-in, të cilë sot për shkaqe shëndetësore kronike kanë përkrahur transportimin e 9 zyrtarëve policor nga veriu në jug”, ka thënë për Albanian Post, Baki Kelani.
Nga 10 dhjetori Serbët në Veri të Kosovës po protestojnë duke bllokuar rrugët pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili po akuzohet nga institucionet e drejtësisë për akte terroriste.
Si pasojë e barrikadimit të serbëve, edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët atë ditë po kryenin detyrat e tyre në komunën e Leposaviqit dhe pikë kalimin kufitare Jarinjë mbetën të bllokuar pa pasur mundësi të kenë qasje në pjesë tjetër të territorit të Republikës së Kosovës.
Mu për këtë arsye edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, kishte lëshuar një komunikatë me anë të së cilës i bëhej thirrje Qeverisë së Kosovës, Presidencës, KFOR-it, EULEX-it e ambasadave të QUINT-it, që të ndërmarrin të gjitha veprimet që të sigurohet lëvizja e lirë për policët të cilët kanë mbetur të bllokuar qe 11 ditë në pjesën veriore të vendit.
Lidhur me këtë rast ditë më parë pati raportuar edhe Albanian Post.
Albanian Post duke u thirrur në burime brenda Policisë së Kosovës, pati raportuar se afër 20 policë të Kosovës, të njësive të ndryshme, nga 10 dhjetori kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare në Jarinjë.