Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, gjatë takimit me homologun e tij, grek Nikolas Dendisa, ka thënë se sipas informacioneve që disponon, Çekia si kryesuese e Bashkimit Evropian do ta procedojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, por vetëm do t’i informojë shtetet anëtare se e ka pranuar kërkesën e Kosovës.
“Republika Çeke e ka pranuar aplikacionin dhe sipas njoftimeve, në seancën që duhet të mbahet këtë javë, ata vetëm do të informojnë se e kanë pranuar aplikacionin dhe nuk do ta vendosin më tej në procedurë”, ka theksuar Daçiq.
Më tutje, Daçiqi ka treguar se nga 1 janari i vitit 2023 Suedia do të jetë pasues Çekisë pasi ajo do ta merr presidencën e BE-së.
“Vendimet e tilla merren me konsensus, i cili aktualisht nuk ekziston sepse pesë anëtarë të BE-së, përfshirë Greqinë, nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa Hungaria, pavarësisht se e ka njohur Kosovën, nuk e voton Kosovën në forumet ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Ndërkoh ministri i Jashtme serb e ka komentuar dhe aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës(KiE), ku ka thënë se shqyrtimi i krekës është shtyrë dhe sipas tij Serbinë në vitin e ardhshme e pret një luftë e vështirë diplomatike.
“Irlanda nuk donte ta përfundonte atë punë gjatë mandatit të saj. Tani është radha e Islandës… Duke qenë se Islanda po mban një Samit të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, nuk është në interesin e tyre të nxisin probleme të ndryshme”, ka theksuar ai.
“Është në interesin e tyre që të arrihet një marrëveshje. Prandaj presim që kjo temë ndoshta të mos jetë kaq shpejt në agjendë”, ka përfunduar Daçiq.