Von Cramon: Serbët t’i heqin barrikadat, të papranueshme paralajmërimet për kthimin e ushtrisë serbe

E publikuar: 12/12/2022 14:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Von Cramon

Von Cramon

Nga Gjermania kanë vazhduar reagimet ndaj Serbisë, pas sulmit ndaj pjesëtarëve të EULEX-it në veri dhe deklaratave të pushtetit të Serbisë se do të kërkojnë rikthimin e forcave serbe në Kosovë.

Eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, ka rishpërndarë adresimin e shefes së diplomacisë, Annalena Baerbock, ku akuzon Serbinë se po nxit tensione.

Edhe von Cramon thotë se është e papranueshme deklarata për rikthimin e ushtarëve serbë në territorin e Kosovës.

“Rivendosja e paqes dhe e stabilitetit në veri të Kosovës duhet të jetë prioritet. Posaqërisht sulmet ndaj EULEX-it dhe njoftimi për ushtarët e Serbisë është krejtësisht i papranueshëm. Unë pres që barrikadat e serbëve të Kosovës të largohen për t’u qetësuar situata. Përkrahje të plotë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja”, ka shkruar Von Cramon në Tëitter, transmeton Gazeta Express.

Këtë shënim, eurodeputetja gjermane, që përcjell vazhdimisht zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë, e ka bërë mbi një reagim të kryediplomates së Gjermanisë.

“Kosova uli tensionet duke i shtyrë zgjedhjet lokale. Serbia e bëri të kundërtën me retorikën e saj së fundmi. Kërkesa për kthimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm. Ashtu siç janë sulmet ndaj EULEX-it”, kishte shkruar mbrëmë Baerbock.

Ndaj shefes së diplomacisë gjermane kanë reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq. /Express/