Kurti: Republikën do ta mbrojmë me forcë dhe vendosmëri!

E publikuar: 11/12/2022 11:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për situatën në veri të vendit, duke thënë se po bashkëpunojnë me KFOR-in për të zgjidhur situatën sa më shpejt dhe në mënyrë paqësore.

Kurti në një postim në rrjetin social “Twitter” ka shkruar se bandave kriminale në veri të Kosovës, u mungon edhe preteksti, siç tha ai, më i dobët për vendosjen e barrikadave dhe sulmeve të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës.

“Me zgjidhjen e çështjes së targave dhe vonesën e zgjedhjeve, bandave kriminale në veri të Kosovës u mungon edhe preteksti më i dobët për barrikada dhe sulme të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Në bashkëpunim me KFOR-in, ne po punojmë për të adresuar situatën shpejt dhe në mënyrë paqësore”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje ka thënë se presidenti dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak duke kërkuar që të futet ushtria serbe në Kosovë.Kurti ka thënë se Kosova nuk kërkon konflikt, por dialog dhe paqe.

“Presidenti dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet me forcë dhe vendosmëri”, ka shkruar Kurti.Kujtojmë se dje, presidenti serb Aleksandar Vuçiq bëri të ditur se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.