Vrasja e gruas shtatzënë, Kurti: Vrasje mizore, e papranueshme dhe e padurueshme

E publikuar: 30/11/2022 20:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka reaguar rreth vrasjes së një gruaje shtatzënë sonte në oborrin e Gjinekologjisë.

Kurti në Facebook, ka thënë se kjo është e papranueshme dhe e padurueshme.

I pari i qeverisë së Kosovës këtë rast e ka cilësuar si vrasje mizore.

“Dy engjëj në qiellin e pistë Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor”, ka thënë kryeministri.

“Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, ka përfunduar Kurti.