Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vizituar Telekomin e Kosovës, ku është njoftuar me zhvillimet në këtë ndërmarrje publike nga ushtruesja e detyrës së kryeshefes Ekzekutive, Burbuqe Hana, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Shpëtim Dobra.
Në një konferencë të përbashkët për medie, pas takimit, Rizvanolli tha Telekomi po kthjellet dhe se në nëntë muajt e parë të vitit, të hyrat e kësaj ndërmarrjeje janë rritur për 8 për qind, ndërsa shpenzimet janë ulur për rreth 9 për qind.
Mes tjerash, ajo tregoi se Vala do të fillojë operimin edhe në veri të vendit, ndërsa nga viti i ardhshëm përfundimisht do të kalohet nga kodi i Monakos në prefiksin +383.
Mes tjerash, ajo tregoi se dhe se operimi do të fillojë edhe në veri të vendit.
“Në Telekom nuk ishte bërë asnjë investim në teknologji që nga viti 2015. Sot jemi para një momenti shumë më rëndësi, Telekomi është në fund të procesit të zëvendësimit rrënjësor të teknologjisë për telefoninë mobile, apo Vala siç e njohim”.
“Telekomi po këndellet edhe si kompani edhe si kolektiv i punëtorëve edhe si shërbim ndaj klientit. Menaxhimi me nikoqirllëk, angazhimi i secilës e secilit në krye me një menaxhment, i cili ka dalë nga vetë radhët e Telekomit, dialogu social brenda ndërmarrjes po na sjell perspektiva të mira në këtë ndërmarrje me rëndësi strategjike për vendin tonë dhe me rol të rëndësishëm edhe në sigurinë e vendit”, u shpreh ajo.
Ministrja e Ekonomisë tha se janë duke shikuar mundësitë që të ndihmojmë Telekomin për të përballuar investimet kapitale për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës. Ajo bëri të ditur se rreth 1 milion euro pritet t’i ndahen kësaj ndërmarrjeje gjatë javëve në vijim. “Ndërsa, sa i përket vitit tjetër, po flasim për një shumë prej 13 milionë eurosh, e cila do të shfrytëzohet nga Telekomi… Vullneti politik ekziston që Telekom-i të mbështetet me së paku 13 milionë euro për migrimin në kodin telefonik të Kosovës nga kodi i Monakos, si dhe modernizimin e rrjetit”.
“Jemi në një pikë të rëndësishme, ku një obligim i përbashkët për ta përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe për të shtrirë shërbimet e Telekomit në të gjithë vendin është duke u realizuar”.
Ministrja Rizvanolli tregoi se TK po shlyen borxhet e vjetra, madje sivjet ka paguar edhe 12.6 milionë euro tatime.
“Telekomi është shpallur nga Oda Ekonomike tatimpaguesi i vitit 2022. Ka paguar mbi 12.6 milionë euro deri më tani sivjet, duke përfshirë këtu edhe borxhet e vitit të kaluar prej 3 milionë. Trendi i rënies së të hyrave tanimë është ndalur, por është kthyer mbrapsht. Tanimë, në tremujorët e parë dhe nëntë muajt e parë të vitit të hyrat e Telekomit janë rritur për 8 për qind, ndërsa shpenzimet janë ulur për rreth 9 për qind”.
“302 punëtorë e kanë marrë këtë pako dalëse dhe kjo ka ndikuar, duke marrë parasysh që ka pasur kritere strikte për vlerësim. Këto dalje nuk kanë ndikuar negativisht në Telekom, por vetëm kanë ndikuar pozitivisht duke i kursyer ndërmarrjes 270 mijë euro në baza mujore”, tha tutje Rizvanolli.
Kryesuesi i Bordit, Shpëtim Dobra, tha se janë duke bërë gjithçka të mundshme që t’i dërgojmë përpara proceset që janë të dobishme për Telekomin.
“Patëm një takim shumë të frytshëm. E njoftuam ministren se ne jemi duke u përpjekur së bashku me menaxhmentin që të bëjmë më të mirën të mundshme për të gjitha proceset që i konsiderojmë të domosdoshme për Telekomin”, tha ai.