Lista Serbe bojkoton zgjedhjet në veri, gjashtë subjekte aplikojnë për certifikim

E publikuar: 25/11/2022 20:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për zgjedhjet e 18 dhjetorit, deri në afatin e paraparë në Komisionin Qendror Zgjedhor kanë aplikuar për certifikim 6 subjekte politike.

Nga këto subjekte, tre janë nga radhët e komunitetit serb dhe tre të tjera nga komuniteti shqiptar.

Iniciativa qytetare “Mitrovica” ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Veriut. PDK-ja ka dorëzuar emrat e 4 kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e 4 komunave.

Partia “Kosovskih Srba” ka aplikuar për zgjedhjet në Leposaviq. Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar për certifikim emrat e kandidatëve për katër komuna dhe iniciativa “Srpski Opstanak” ka aplikuar me kandidatin për Mitrovicën e Veriut. Teksa në këto zgjedhje ka aplikuar edhe një kandidat i pavarur nga radhët e komunitetit serb.
Pas kësaj faze kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit.

“KQZ-ja do të komunikojë edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të verifikuar nëse ndonjë nga kandidatët është i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të Gjykatës në tre vitet e fundit apo me vendim të Gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat. Sipas afateve procesi i vendimmarrjes për certifikimin e subjekteve/kandidatëve do të ndodhë deri më 28 nëntor”, ka thënë Valmir Elezi zëdhënësi i KQZ-së.

Në aspektin organizativ Elezi ka shtuar se janë në fazën e ndërtimit të trupës zgjedhore të përbërë nga përfaqësues të të gjitha partive e pastaj do të punohet edhe për këshillat e vendvotimeve.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerësojnë se me mospjesëmarrjen e Listës Serbe është dëmtuar legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve dhe rrjedhimisht rrezikon që të ketë pjesëmarrje të ulët.

“Nuk kemi një prag numerik që do të përcaktonte nivelin e pëlqyeshëm në kuptim të ndërtimit një procesi më legjitimues mirëpo ekziston rreziku që zgjedhjet atje të njohin numra shumë të ulët të daljes në kuptim që numri i qytetarëve që dalin në zgjedhje të jetë edhe më i vogël se në vitin 2013”, ka thënë Arbër Thaçi – hulumtues në KDI.

Përveç zgjedhjeve për kryetarë komunash, një proces i ri zgjedhor do të organizohet edhe për zgjedhjen e asamblistëve të katër komunave veriore.