Sundimi i Ligjit – 100 ditë të një Qeverie tjetër

E publikuar: 23/03/2015 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

BURIM RAMADANI
Një qeveri e përkushtuar në luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të vepronte shpejtë dhe profesionalisht për 100 ditët e para. Do të vendoste themelet me veprime konkrete. Me politika të sakta, të qarta e me guxim. Në këtë Qeveri të tashme, u bënë 100 ditë qeverisje dhe nuk doli asnjë ide për sundimin e ligjit. E të mos flasim për veprime. Hiq! Ama, bash hiq!
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të jetë prijëse. Në politikat e institucioneve, në përkushtimin e zyrtarëve, në ëndrrën e ndërtimit të demokracisë. Sepse, pikërisht krimi e korrupsioni po e ngulfasin demokracinë. Sepse, pikërisht kjo po e korrupton vendimmarrjen. Dhe, vendimmarrja jo e drejtë, përshkallëzohet në ngulfatje të së drejtës. Ngulfatje të demokracisë. E tillë ishte edhe kjo periudhë 100 ditëshe që e kaluam me qeverinë e re.

Një Qeveri tjetër, e përkushtuar në luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për 100 ditë të qeverisjes do të bëntë të paktën këto veprime institucionale:

Do të draftonte Ligjin për themelimin e Agjencisë për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – ALKOK, një mekanizëm i rolit të Byrosë Kombëtare të Hetimeve, në të cilin do të përfshiheshin ligjërisht pjesë të rëndësishme të koordinimit të përditshëm midis Policisë, Prokurorisë dhe Gjyqësorit.

Do të ndërmerrte veprime konkrete me planifikim të koordinuar për reformimin dhe ristrukturimin e Policisë së Kosovës. Organizata policore ka mungesa të shumta të përcjelljes së informatës, vendimmarrjes operative dhe planifikimit strategjik. Disa hallka të organizatës nuk janë funksionale e disa të tjera vetëm sa e komplikojnë atë.

Do të rishikonte vendimet joligjore të deritashme. E të tilla ka, fatkeqësisht, shumë. Përfshirë këtu vendime në kundërshtim me vendimet e gjykatave, vendime që shkojnë në kundërshtim kme ligjet, dualizim të mekanizmave, emërime e ç’emërime, ndarje të fondeve për çështje krejt personale a grupore, e të ngjashme.

Do të rriste menjëherë buxhetin për institucionet e zbatimit të ligjit. Jo vetëm tek çështja e të ardhurave, që është e domosdoshme, por edhe tek pajisjet, sidomos në disa fusha krejt të veçanta dhe specifike, sikurse teknologjia informative e të ngjashme.

Do të funksionalizonte plotësisht zinxhirin komandues brenda Policisë së Kosovës. Këtu nuk do të merrej fare parasysh mbështetjet politike për zyrtarë të caktuar, sidomos në Drejtoritë Rajonale të ndryshme nëpër Kosovë.

Do të zhvillonte modelin e matjes së përditshme të performancës në të gjitha nivelet në Policinë e Kosovës, e njëjtë edhe në institucionet tjera. Fatkeqësisht, një model i tashëm nuk është funksional, është i abuzuar në përmesa të mëdha, si dhe shkakton padrejtësi.

Do të fuqizonte dhe reformonte Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike. Kjo është domosdoshmëri për luftimin e korrupsionit, parasë së zezë, monopolit, por po ashtu edhe për rritjen e sigurisë së investimeve dhe ndaljen e dukurive të këqija të reketit apo të ngjashme.

Do të themelonte Qendrën Koordinuese midis Policisë-AKI-Dogana-Prokurori. Kjo qendër do të kishte rolin e rëndësishëm të shpërndarjes së informatave midis këtyre institucioneve në kohë reale. Pra, 24/7. Puna në këtë Qendër do të ishte e nivelit profesional, pra zyrtarëve adekuat për shpërndrajen ndër-institucionale të informatave. Kjo do të ndikonte thelbësisht në përshpejtimin dhe efikasitetin e veprimit të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë në Kosovë kundër dukurive negative.

Do të zvogëlonte shpenzimet qeveritare. Kjo vlen për të gjitha institucionet, që nga zvogëlimi i Qeverisë e deri tek eleminimi i shpenzimeve të panevojshme, për të cilat jemi dëshmitarë që po vazhdojnë në vrull të njëjtë.

Do të zhvillonte sistemin e Prokurorimit Elektronik, si një prej masave të rëndësishme për luftimin e korrupsionit. Edhe më tutje, Prokurimi mbtetet një prej burimeve kryesore të korrupsionit.

Do të zhvillonte Pakon Sociale për pjesëtarët e Policisë, FSK-së dhe zjarrëfikësve. Këtu përfshihen sidomos Sigurimi Shëndetësor dhe Sigurimi Jetësor. Kjo do të ishte një prej politikave nxitëse të efektivitetit të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe sigurisë në Kosovë.

Do të reformonte Inspektoratin Policor të Kosovës. Mënyra e tashme e funksionimit e ka sjellë IPK-në në një “super-polici”, e cila nuk ndihmon, por vetëm shkakton probleme të funksionimit të sektorit të sigurisë. IPK-ja, realisht, nuk ka mbikëqyrje. Është shndërruar në një institucion mbi Policinë, me “huazim” të përgjegjësive edhe nga Policia.

Do të zhvillonte politikat për fokusimin e trupave prokuroriale në fusha të specializuara. Sidomos në luftimin e trafikut me narkotikë, trafikut me qenie njerëzore, terrorizmit, Prokurimit Publik, qarkullimit të parasë së zezë, e të ngjashme.

Do të miratonte Programin Kombëtar për luftimin e drogave dhe për parandalimin e dhunës nëpër shkolla në shkolla fillore e të mesme. Kjo çështje edhe më tutje mbetet një prej problemeve të mëdha të Kosovës.

Brenda 100 ditëshit do ta draftonte Ligjin për Policinë Komunale. Në fillim të vitit 2016 Prishtina do të kishte Policinë Komunale, ndërsa në fillim të vitit 2017 edhe qendrat tjera rajonale në Kosovë.

Do të draftonte dhe miratonte Programin Kombëtar për parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit. Vonesat në këtë çështje i kanë shkaktuar mjaft dëme Kosovës. Tek e fundit, drafti i parë i kësaj qasjes ishte bërë në korrik të vitit 2007, por që nga atëherë është neglizhuar plotësisht dhe pakuptimshëm.

Do të investonte menjëherë në përmirësimin e kushteve të punës për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave dhe qartësimin e përgjegjësive ndër-institucionale në këtë fushë. Kushtet janë të mjerueshme për zjarrëfikësit e zyrtarët tjerë të kësaj Agjencie.

Do të lanconte Iniciativën Rajonale për Luftimin e Krimit të Organizuar. Kosova do të merrte rol të rëndësishëm në vendosjen dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta rajonale në luftimin e krimit të organizuar.

Në anën tjetër, u bënë 100 ditë qeverisje dhe nuk doli asnjë ide nga Qeveria aktuale për sundimin e ligjit. E të mos flasim për veprime. Hiq, fare! Në kohën kur fusha e sundimit të ligjit do të duhej të jetë vërtetë prioritare. Kurrë deri më tash nuk ka pasur kërkesë më të madhe të brendshme e të jashtme për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Pikërisht se tashmë gjithçkaje negative i është arritur kulmi. Tejkalimi i mëtutjeshëm i gjendjes së tillë do të mund të përshkallëzojë të keqen.

Autori është ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ligjërues i Studimeve të Sigurisë Kombëtare.