Seferi: Në Serbi mediat po thonë që situata është në prag të tensionit (VIDEO)

E publikuar: 21/11/2022 23:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari Idro Seferi ka thënë se mediat në Serbi janë duke raportuar se situata në veri të Kosovës është në prag të tensioneve, pas mosarritjes së marrëveshjes për targat.

“Në Serbi mediat po thonë se situata është në prag të një incidenti, në një cep që nuk mund të shkohet më tutje. Presidenti Vuçiq ka thënë se në qoftë se sonte nuk ka mundur të arrijë marrëveshje me Kosovën, atëherë për çfarë mund të flitet dhe çfarë marrëveshje mund të arrihet me Kosovën… Analizat në shtyp rreth kësaj ngjarjeje thonë se situate është në prag të incidenteve. Madje analistët thonë se nëse vihet deri te shqiptimi i gjobave mund të ketë edhe shtim të tensioneve dhe incidenteve. Po raportohet në Serbi se serbët në veri nuk janë shumë të qetë pas tentimeve për të arritur një marrëveshje”, ka thënë Seferi në Edicionin Special në Klan Kosova.

Ai tha se mesazhi kryesor i Vuçiqit ishte një apel për serbët që të mundohen ta ruajnë qetësinë dhe paqen në këto momente.

“Sipas Vuçiqit, Serbia ka qenë e gatshme ta pranojë çdo pikë të asaj që është ofruar në Bruksel, por Kosova, sipas tij, nuk ka qenë e gatshme ta bëjë një gjë të tillë. Ai ka bërë apel te serbët e Kosovës, që nëse protestojnë, të protestojnë në mënyrë demokratike dhe reagimet e tyre të jenë të qeta”, ka shtuar ai.