ryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, njëherësh deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se gjendja në veri të vendit është e brishtë dhe me mundësi të përshkallëzimit të situatës.
Në një bisedë në emisionin Magazina në Radio Dukagjini, Musliu ka thënë se aktualisht mbi 20% e territorit të Kosovës është jashtë kontrollit.
“Nuk do të doja të ndjellja frikë tek qytetarët, por më duhet të konstatoj se gjendja e sigurisë në përgjithësi në Kosovë është e brishtë e me theks të veçantë në veri të vendit, ku mund të themi se mbi 20% e territorit të vendit është jashtë kontrollit. Në veri nuk kemi polic të angazhuar, nuk kemi institucione të instaluara, thjeshtë po i bëhet roje objekteve, por fatkeqësisht nuk ka operim të mirëfilltë të Policisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Musliu për Radio Dukagjini.
Ajo ka falenderuar qytetarët e Republikës së Kosovës për pjekurinë e lartë të treguar këtyre ditëve, duke thënë se fal tyre e kemi qetësinë që po mbretëron.
“Sot më shumë se kurrë duhet bashkërendim të institucioneve të vendit, bashkëpunim i qytetarëve me institucione të sigurisë me theks të veçantë qytetarëve të veriut të Kosovës, për çka vlen për ta përshëndetur pjekurinë dhe gatishmërinë e qytetarëve të veriut të Kosovës për të treguar qetësi dhe bashkëpunim me organet e sigurisë dhe vendit”, theksoi Musliu duke apeluar tek qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të mediave serbe.
Duke folur për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje për targat ilegale serbe para 21 Nëntorit, Musliu ka thënë se pret nga Kryeministri Kurti që të reflektojë dhe të bashkëpunoj me spektrin politik dhe ndërkombëtar.
“Ne as në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kemi mundur t’ia dalim vetë pa mbështetjen e SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe sigurisht se nuk do të mund të arrijmë as në bisedimet me Beogradin. Çdo kryeneqësi në këtë çështje do të jetë në dëm të Republikës së Kosovës. Andaj, pres që kryeministri Kurti të reflektojë dhe të bashkëpunoj me spektrin politik dhe ndërkombëtar për ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë në vend”, ka thënë Musliu.
Gjatë kësaj bisede deputetja e PDK-së, është pyetur edhe për planin franko-gjerman, për të cilin ka thënë se nuk e ka parë asnjëherë duke kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit, për mostransparencë.
“Transparenca e Qeverisë Kurti në raport me dialogun me Serbinë është zero. Kjo Qeveri ka manovruar me dialogun, e ka nisur mbrapsht, duke e kthyer nga prioriteti shtatë në atë dy dhe tash e kemi top prioritet. T’i lëmë anash aktet patriotike e popullore, por ta kthejmë vëmendjen fuqishëm që t’a ofrojmë një zgjidhje për Kosovën”, ka thënë Musliu.