Nga Migjen Kelmendi
(Reagim)
Kaluen 5 dekada nga nji tubim që u mbajt në kulmin e diktaturës komuniste në Tiranë, që e quejtën Kongresi i drejtshkrimit. Dy dekada u festue ky Kongres në diktaturë, dhe plot tri dekada po i njajti Kongres u festue e celebrue në kohë lirie.
Ky grup i vogël i njerëzve, kjo sektë e tubueme rreth disa vendimeve që i prezenton si shkencore, për këto pesë dekada, në asnji rast, në asnji punim shkencor, në asnji hulumtim emipirik e analizë shkencore, nuk lejoi e as lejon me e prekë, as me u afrue te ajo esencë, te ai libër, te ai sandek, ku ata janë të bindun se po e ruejnë dhe mbrojnë – të vërtetën gjuhësore të shqiptarëve.
Pesë dekada kjo sektë u bunkerizue rreth diçkaje që as lejon të shihet, as të preket, as të debatohet, as të analizohet, as të ndryshojë.
Dhe pesë dekada ma vonë, edhe mizanskena asht e njajtë: nji kryesi pune, do parolla, do njerëz tubue, njisoj si në vitin 72, dhe nuk mungoi as AY – Enveri i estetizuem – që i dha masë e gjatësi projekcionit që shqiptarët patën për te, Edi Rama.
Pse u desht që kryeministri aktual i Shqipnisë, Edi Rama, me qenë prezent dhe me prezencë me legjitimue ketë tubim?
Sepse, sa herë këta shqiptarë të sektarizuem flasin për gjuhën shqipe, duhet me qenë prezent medoemos edhe nji Enver!
Kryeministri Rama, ky Enver i estetizuem, me nji ton solemn, me nji të folme të kadaltë a thue se po flet në mort, e prezentoi veten si “dashnor” të gjuhës shqipe, por nisi me folë për do njerëz të vdekun, për disa arritje te vdekuna, për nji periudhe qe s’asht ma, asht e vdekun. Ai nisi me fjalimin e tij me i puthë te vdektit, me i arsyetue dhe me i gjetë spjegim atyne vendimeve të vdekuna, qe e pranonte edhe vet, se u morën ne kulmin e nji diktature dhe në mungesë totale të lirisë së mendimit dhe të fjalës, por te cilat ai i sheh dhe përjeton si nji arritje. Njisoj si Enveri.
U nis kryeministri Rama me folë për dashni, e përfundoi në – nekrofili. Dashnori i madh i gjuhës shqipe na u prezentue me fjalën e tij në këtë tubim vetëm si nji “dashnor i gjanave të vdekta”.
Dhe nekrofilija i falet, njashtu siç i falet edhe ai ekzibicionizëm i tij me veshjet e me patikat, me qeverinë e qëndisun prej tij me gra, me megallomaninë e tij me e prezentue vendin ma të varfun n’Europë si nji “Las Vegas” personal, me aero-floten lasgushiano-asdreniane, me satelitat edvino-musk’ian, me portet dubaiane, me 40’katshat oligarkian…por, ajo që s’i falet asht përpjekja e tij me arsyetue dhunën, me i gjetë spjegim dhunës dhe mungesës së lirive në Shqipninë diktatoriale të Kongresit të drejtshkrimit, të viti 1972.
Politikani i shekullit 21, që e prezenton veten si politikan i proviniencës europiane, e kishte nji hall në fjalën e tij: qysh me arsyetue diktaturën enveriane dhe me “martue” dhunën me arritjet gjuhësore (sic!).
Dhe, a don ti, njeriu që e ka gojën plot
“Europë”, që flet për të drejta e për ligje, për demokraci e zhvillim, për me arsyetue diktaturën, prezencën e Enver Hoxhës në sallën e Kongresit të drejtshkrimit (njashtu siç i duhej me e arsyetue edhe prezencen e vet në tubimin e kësaj sekte 50 vjet ma vonë), gjen shembull në kohën e Sulltan Abdyl Hamitit të Dytë (OMG:)
Njeriu që e huton dhe distrakton qytetarin e varfun të Shqipnisë së sotme me aviona e satelita, me porta dubaiane e lungomare a la italiane, ikë në shekullin 18 me i gjetë arsye e spjegim dhunës e diktatorit.
Përmend, për fatkeqësi të tij, shembullin e situatës linguale në Greqi, tue u mundue me i gjetë përgjasim vendimeve të dhunshme gjuhësore të vitit 1972, e tue mos e kuptue se shembulli grek dëshmon rrafsh të kundërtën: produkti artificial i gjuhëtarëve megallomanë grekë, Katharevousa, dështon. Ju vdes ne duer. Por ata nuk bunkerizohen si këta sektarianët shqiptarë, por heqin dorë nga ato vendime dhe i kthehen gjuhës së popullit – Dimotikes.
Janë me dheta raste në kohën e sotme, ku shoqnitë e avansueme dhe të emancipueme, problemeve të veta gjuhësore nuk ju qasen me dhunë e bunkerizim, po me studime, analiza, debate e shkencë.
Çohet kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipnisë, nji Enver i paestetizuem, krudo, që krejt Shqipnia e din se qysh e ka ble ate post prej Edi Ramës, në përpjekje me i gjetë arsye shkencore dhunës, citon nji autor të paqenë e bahet prrallë, si e vërteton gazetari investigues Gjergj Erebara (shih: “Akademiku Gjinushi plagjiarizon shkrimin sarkastik si autoritet shkencor”).
Pra, kush ishin ata njerëz tubue, të cilët i legjitimoi me prezencën e vet kryeministri aktual i Shqipnisë? Pse janë mbyll e bunkerizu njashtu? Pse nuk janë gati për pyetje, për ballafaqime me mendime të kundërta? Pse po i tuten analizës, hulumtimeve, empirisë, hapjes?
Çka po mbajnë ashtu të msheftë në ate sandek, në ate tabut?
Pse nuk dukej ai tubim si festë, po si e pame, si mort?
Pse toni i Ramës ishte si në kryeshnosh? Pse ishin të veshun me të zeza?
Kush ka vdekë?
Përgjegja asht e thjeshtë:
Në atë tabut që e kanë vendos ne mes të atij bunkeri metaforik, nuk asht as gjuha, as arritjet, as e vërteta.
Njisoj si dikur në Bashkimin Sovjetik, sot në Shqipninë europiane te Edi Ramës, në tabutin e mbrojtun nga gjuhëtarët sovjetik, Tirana zyrtare e mban larg syve të qytetarëve, larg pyetjeve dhe kontestimeve shkencore, larg realitetit lingual të hapsinës shqiptare, jo gjuhën shqipe – po trupin e balsamosun si të Leninit e Stalinit – Enver Hoxhën.
Dhe secili prej tyne, metaforikisht, e puthë të vdektin!
Kjo s’asht punë dashnie për gjuhën shqipe, i dashtun kryeministër, kjo asht punë nekrofilie dhe dashnie për Enverin!
(Nga punimet e Kongresit ’72, Enver Hoxha e Mehmet Shehu në sallë!)