Kurti flet për takimet në Forumin Ekonomik të Vjenës

E publikuar: 14/11/2022 22:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për takimet dhe fjalët që i ka thënë në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës.

“Në edicionin e 19-të të Forumit Ekonomik të Vjenës, theksova se krahas zhvillimit të ekonomisë, Republika e Kosovës po ashtu ka shënuar përparim në fuqizimin e demokracisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Pas diskutimit në panel, zhvillova takime të ndara me Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International, Johann Strobl, Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch, Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, si dhe Drejtorin e Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë, njëherit anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, Peter Umundum”.

Kurti po ashtu thotë se foli për zgjerim të bashkëpunimit ekonomik e tregtar Kosovë-Austri, si dhe foli për takimin që pati me mërgimtarat shqiptarë në këtë shtet.

“Potencova arsyet e qëndrueshme për investime në Kosovë, si dhe mundësitë për rritje të bashkëpunimit ekonomik e shkëmbimit tregtar ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe financave”.

“Krahas qeverisjes demokratike, pozitës gjeografike dhe stabilitetit institucional, Republika e Kosovës ofron mjedis të favorshëm për investime. Veçova rritjen ekonomike, qeverisjen e mirë, borxhin e ulët publik, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, si dhe gjykatën komerciale”.

“Në mbrëmje takova mergimtarët tanë në Austri. U shpreha mirënjohje të përzemërt për kontributin e vazhdueshëm, si pjesë kyçe e zhvillimit ekonomik, shoqëror e politik të Kosovës në çdo kohë. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vëmendje të veçantë për mërgatën dhe kjo është reflektuar edhe në Programin tonë qeverisës, si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm”.