Bunjaku-Hysenit: Dil nga dalldia e fitores, puno për të lënë ndonjë gjurmë

E publikuar: 13/11/2022 14:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku e ka kritikuar kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, duke i bërë thirrje që t’ia nisë punës në këtë komunë.

Ajo gjithashtu e sugjeroi Hysenin që ta ndërrojë ekipin e tij, ndërsa ia kujtoi atij premtimet gjatë fushatës zgjedhore.

“Kryetar i Gjilanit, nisja seriozisht punën për qeverisjen e komunës. Ndërroje ekipin. Zbato premtimet e shumta, sepse je njëri ndër kryetarët e komunave, me më së shumti premtime në nivel vendi, me mbi 100 premtime. Mandati po të konsumohet”.

“Puno me deputetët e Anamoravës para miratimit të Buxhetit 2023, i caktojmë 5 projekte të mëdha kapitale e t’i shtyjmë përpara. Pavarësisht partive të ndryshme, unë jam e gatshme të adresoj projektet për Gjilanin dhe Anamoravën. Mbi partinë, është Gjilani. Dil nga dalldia e fitores së ngushtë për pak vota. E ke fituar besimin e qytetarëve për të parin e Gjilanit dhe Kuvendin Komunal qytetarët ia besuan LDK-së për t’ju kontrolluar e monitoruar juve në pushtet”, shkroi ajo në Facebook.

Mes tjerash, ligjvënësja opozitare thotë se qeverisja e LVV-së në Gjilan është më e ngathëta që nga paslufta.

“Nga ajo që po ju vëzhgojmë si parti opozitare në Gjilan, si LDK, jeni qeverisja më e ngathtë që nga paslufta në Gjilan. Punoni e mendoni për të lënë ndonjë gjurmë! Deri më tash jeni vetëm mbi gjurmët e ish-Kryetarit të Gjilanit me rikthim të shpejtë, sepse nuk po arrini të krijoni as një projekt të vetëm që lë shenja dalluese! Për Gjilanin”, përfundoi Bunjaku-Rexhepi.