Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në një kohë kur nga ndërkombëtarët po kërkohet me insistim themelimi i tij.
Çitaku ka thënë se nëse Asociacioni zbatohet duke përfillur rekomandimet e vendimit të Kushtetueses në vitin 2006, atëherë s’ka arsye për t’u frikësuar nga ky mekanizëm që kërkohet për komunitetin serb.
Çitaku ka thënë se ndërkombëtarët nuk do të përsërisin opsionet që iu kanë sjell shumë kokëçarje, siç është rasti i Bosnjës.
“Asociacioni në vete nuk është shumë keq. Ajo çfarë do të jetë Asociacioni do ta bëjë dallimin. Nëse krijimi i Asociacionit bazohet në rekomandimet e Kushtetueses, ne nuk kemi asnjë lloj arsye të ndihemi të frikësuar apo cenuar. Askush në BE dhe SHBA nuk do të ripërsëris opsionet që iu kanë sjell shumë kokëçarje në rajon, siç është Bosnja. Në marrëveshjen për themelimin e Asociacionit shkruhet se ‘ky tekst do të rishikohet nga Gjykata Kushtetuese’. Këtë marrëveshja e ka nënshkruar edhe Serbia. Ne duhet të insistojmë që të respektohet marrëveshja. SHBA-ja po kërkon që ne të bëhemi të përgjegjshëm. Vendimi i Kushtetueses duhet të jetë udhërrëfyes për statutin e Asociacionit”, ka thënë Çitaku në KTV.
Çitaku është shprehur e shqetësuar pas reagimi të SHBA-së, duke u shprehur të zhgënjyer me Qeverinë Kurti, e cila ka refuzuar që ta shtyjë vendimin për targa.
“Jam e shqetësuar për shkak të reagimit të SHBA-së. Kryeministri është sovranist. Por duhet të jesh realist dhe pragmatik. Nuk duhet t’i humbim aleatët tonë. SHBA-ja nuk na ka borxh. Ne kemi mbetur peng i botëkuptimeve që janë faktuar te ne më 1999. Ne mendojmë se bota e sheh rajonin si në vitin 1999. Kosova viktimë, Serbia okupatore. Sot, nuk na shohin të tillë. Na shohim shtet demokratik. Na shohin si dy shtete që kanë telashe e që duhet t’i zgjidhin përmes bisedimeve. A është fer kjo pastaj është tjetër çështje”, ka thënë ajo.