Ambasadori i Sllovakisë në Beograd: I parakohshëm synimi i Kosovës për anëtarësim në BE

E publikuar: 11/11/2022 13:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fedor Rosocha, ambasadori i Sllovakisë në Serbi, thotë se qëndrimi i Bratislavës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës është i qartë dhe i bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare. Ai e konsideron të parakohshëm synimin e Kosovës për të aplikuar për pranim në Bashkimin Evropian, raporton “Tanjug”, transmeton Klan Kosova.

Rosocha thekson se pozicioni i atij vendi është i qartë dhe nuk ka të bëjë me simpatitë për njërën apo tjetrën palë, por sipas tij, mbështetet në parimet e së drejtës ndërkombëtare.

“Ne jemi të lidhur me vendimin e parlamentit tonë, i cili lejon, ose më saktë, hap mundësinë e rishqyrtimit të qëndrimit të mosnjohjes kur të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Rosocha.

Siç theksoi ai, është gjithashtu një parakusht që Kosova të bëhet anëtare e çdo organizate politike, përfshirë Këshillin e Evropës.

“Në këtë kuptim, Sllovakia po ndjek me kujdes dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe Miroslav Lajçaku ka mbështetjen tonë”, citohet të ketë deklaruar ambasadori për “Tanjug”-un.

I pyetur nëse Sllovakia është nën presion për ta njohur Kosovën, ai përgjigjet se autoritetet e Kosovës aspirojnë anëtarësimin në organizata të tjera të natyrës politike dhe ushtarake dhe, siç thotë, “natyrisht kërkojnë krijimin e partneriteteve dhe aleancave për të siguruar mbështetje dhe ndoshta të ketë sukses në ndryshimin e qëndrimit të vendeve që nuk e njohin pavarësinë”.

“Në këtë moment, ne besojmë se synimi aktual i Prishtinës për të dorëzuar një aplikim për anëtarësim në BE është i parakohshëm. Qeveria e Kosovës i ka të gjitha parakushtet për të përmbushur mandatin dhe shumë detyra të papërfunduara, qoftë zbatimi i Stabilizim Asociimit, dialogut me Beogradin apo progresit në reforma”, theksoi Rosocha, transmeton Klan Kosova.

“Moment i papërshtatshëm për të aplikuar për pranim në Këshillin e Evropës”

Ai shton se koha e dorëzimit të aplikacionit të Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës nuk ishte shumë e përshtatshme.

“Kjo fillon një proces që mund të zgjasë disa vite. Jemi të bindur se koha nuk ishte shumë e përshtatshme. Ajo organizatë tani më shumë se kurrë ka nevojë për unitet, në lidhje me situatën në Evropë, si rezultat i Agresioni rus kundër Ukrainës”, tha Rosocha.

Ai më tutje theksoi se Sllovakia nuk është kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të natyrës teknike apo profesionale, të cilat kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik.

“Këshilli i Evropës ka një karakter tjetër. Sllovakia do të monitorojë nga afër të gjithë procesin në atë organizatë”, shtoi ambasadori.