“Uplift” do të ndërtojë ashensorin te Shtëpia të Moshuarve në Prishtinë, zotohet ta përfundojë për 60 ditë

E publikuar: 09/11/2022 23:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 1 janar 2023 pritet të hyjë në funksion ashensori i ri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

Kjo nëse kihen parasysh datat e dhëna në kontratën e nënshkruar mes Ministrisë së Financave dhe kompanisë fituese “Uplift”, e cila doli fituese në tenderin e shpallur që nga vera nga ky autoritet kontraktues, raporton KIKS Kosova.

Në bazë të kontratës, 60 ditë është precizuar koha e përfundimit të të gjitha punimeve për të ndërtuar dhe funksionalizuar këtë ashensor, i cili do të duhej të funksionalizohej në dhjetorin e vitit 2019, por për shkak të problemeve mes autoritetit kontraktues dhe operatorit të mëhershëm, punët mbetën të papërfunduara, për çka u ngujuan brenda këtij institucioni 14 të moshuar.

Kontrata e re u nënshkrua më 1 nëntor të këtij viti, dy ditë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që ta obligojë Ministrinë që brenda 60 ditësh të krijonte kushte për lëvizjen e lirë të banorëve në këtë institucion për të moshuarit.

Bazuar në kontratë, operatori do të gjobitet me 0,25 për qind në ditë të vlerës së furnizimit të padorëzuar deri në një maksimum prej 10 për qind të vlerës totale të kontratës.

Vlera e përgjithshme e kontratës është 39 mijë e 947 euro dhe përfshin vendosjen e ashensorit të ri dhe mirëmbajtjen e tij për 365 ditë, pas dorëzimit të punëve të kryera.