Krejt vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

E publikuar: 09/11/2022 13:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje, ku janë miratuar disa projektligje e udhëzime administrative.

Në mesin e vendimeve që janë marrë në këtë mbledhje është edhe ai për shitjen e veturave të Ministrisë së Ekonomisë.

Më poshtë gjeni të gjitha vendimet:

U miratua Projektligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës. Ky sistem do mundësojë transparencë më të madhe në kuptim të evidencës penale. Përmes lidhjes me sistemin elektronik për përcjelljen e lëndëve, do sigurojë efikasitet më të madh por edhe llogaridhënie brenda sistemit gjyqësor.

U miratua udhëzimi i Administrativ për caktimin e Listës dhe Llojeve e Pajisjeve Ndihmëse që ofrohen falas për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, që shërbejnë për Lëvizje, Parandalim dhe Asistim, dhe udhëzimi tjetër administrativ për Regjistrimin, Funksionimin dhe Çregjistrimin e Organizatave Joqeveritare që ka për qëllim thjeshtësimin dhe lehtësimin e procedurës së regjistrimit dhe funksionimit të OJQ-ve, raporton Express.

U themelua Komisioni Republikan i Festave me përbërje si më poshtë që do të përgatisë rregullat dhe mënyrat e festimit të festave zyrtare dhe ditët memoriale:

1.         Zyra e Kryeministrit, kryesues;

2.         Ministria e Punëve të Brendshme;

3.         Ministria e Drejtësisë;

4.         Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal;

5.         Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve;

6.         Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;

7.         Ministria e Ekonomisë;

8.         Ministria për Komunitete dhe Kthim;

9.         Ministria e Shëndetësisë;

10.       Përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;

11.       Përfaqësues nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës;

U bë ndryshimi dhe plotësimi i vendimit nr. 21/16 për formimin e Grupit punues ndërministror për fushën e lëvizjes së lirë dhe të mallrave, duke emëruar përbërjen e re të këtij grupi, si dhe plotësim ndryshimi i vendimit 03/30, duke i garantuar Parkut të Novacionit dhe Trajnimeve, ITP në Prizren të drejtën e shfrytëzimit të të gjitha objekteve që gjenden në parcelat e dhëna në shfrytëzim nga Qeveria.

U aprovua vendimi për shitjen e automjeteve zyrtare të cilat janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit të Ministrisë së Ekonomisë, nëpërmjet ankandit publik që do të menaxhojë Ministria e Punëve të Brendshme.

U miratua Plani Kombëtar i Radio Frekuencave. Ai ka rëndësi të madhe për aktivitetet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e sigurinë, mirëmbajtjen e rendit publik dhe shërbimet publike emergjente.

U miratua koncept-dokumenti për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor që mundëson shpërndarje të barabartë të burimeve dhe kontribuon në mundësi të barabarta për të gjithë: gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë. Ai është thelbësor për barazinë e drejtësinë gjinore dhe për barazinë e drejtësinë fiskale.

U themelua Komisioni Ekzekutiv për Digjitalizimin më përbërje si më poshtë. I kryesuar nga Kryeministri do shqyrtojë dhe miratojë prioritetet strategjike dhe iniciativat e politikave të reja të Qeverisë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, si dhe do të ofrojë drejtim strategjik e sigurojë koordinim ndërinstitucional në projektet me rëndësi të lartë në këtë fushë.

1.             Kryeministri, kryesues;

2.             Zëvendës kryeministri i parë, zv.kryesues;

3.             Ministri i Punëve të Brendshme, anëtar;

4.             Ministrja e Ekonomisë, anëtare;

5.             Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar;

6.             Lulëzon Jagxhiu, Këshilltar i Kryeministrit për çështjet e Teknologjisë së Informacionit, anëtar.

U shtua në Programin Legjislativ për vitin 2022, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Energjisë si nevojë e nxitur nga situatat energjetike në vend.

Kabineti qeveritar u informua për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit gjatë periudhës korrik-shtator 2022.

U miratua nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar e cila do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Marrëveshja e përbashkët parasheh zbarkimin e trupave të FSK-së me ato të Mbretërisë së Bashkuar.

Nga kursimet e deklaruara, u rialokuan 11.7 milionë euro për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për të mbuluar programet, projektet apo obligimet që kanë.

Gatimet tona pjekën në prush, prandaj edhe janë më të shijshme!

Posted by Pep's Taverna on Tuesday, April 28, 2020