Japin dorëheqje krerët e komisioneve zgjedhore në komunat veriore

E publikuar: 09/11/2022 10:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në veri të Kosovës, gjithnjë e më shumë njerëz po japin dorëheqje nga vendet e tyre të punës.

Pasi përfaqësuesit politikë të serbëve, zyrtarët policorë, gjyqtarët e prokurorët dhanë dorëheqje brenda javës që shkoi, sot dorëheqjet i kanë dorëzuar edhe zyrtarët e lartë të komisioneve komunale zgjedhore në komunat veriore.

Kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale në veri kanë dhënë dorëheqje mëngjesin e sotëm nga pozitat e tyre, tha Sllobodan Dimitrijeviq, i cili ka mbajtur pozitën e kryetarit të komisionit zgjedhor për Mitrovicën e Veriut.

Dimitrijeviq i ka thënë portalit Kosovo-Online se procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës nuk mund të ndodhë pa u arritur një marrëveshje politike.

Siç shtoi ai, një proces i tillë zgjedhor do të ishte “në kundërshtim me parimet dhe bindjet e tyre morale, profesionale dhe demokratike”.

“Ne solidarizohemi me bashkëqytetarët tanë dhe japim dorëheqje nga pozitat tona”, tha Dimitrijeviq.