Analisti politik dhe bashkëpunëtori i lartë i Këshillit për Politika Demokratizuese, Bodo Weber, ka thënë se rruga e vetme drejt zgjidhjes së problemeve mes Kosovës dhe Serbisë, është arritja deri te një kompromis nga të dyja palët.
“Nga kjo situatë realisht nuk ka rrugëdalje, përveç shtyrjes së vendimit të Prishtinës dhe tërheqjes së kërkesës për formimin e Asociacionit nga pala serbe”, theksoi ai për mediumin serb ‘Nova’.
Ai ka vlerësuar se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka dështuar dhe se fokusi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, pra një zgjidhje përfundimtare e çështjes së Kosovës.
“Dialogu është mbërthyer pas Asociacionit, gjë që tregon se çështja nuk mund të zgjidhet jashtë kornizës së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, potencoi ai duke shtuar se “edhe pas mosmarrëveshjeve dypalëshe, siç është mosmarrëveshja për targat, qëndron çështja e statusit”.
Ndryshe, përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, të shtunën e 5 nëntorit kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Kryetari i Listës Serbe dhe njëherit ministri për Komunitete the Kthim, Goran Rakiç, ka dhënë dorëheqje nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.
Edhe Igor Simiç, i cili është deputet nga radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe policia.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë Rakiç pas takimit.
Si rrodhën gjërat?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.
Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.
“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoi Kurti në mbledhje të qeverisë.
Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kishin shprehur pakënaqësi.
“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës. /Albanianpost.com